Kina publikon hartën e parë globale të koduar me ngjyra të Marsit
2023-04-24 17:06:21

Kina publikoi hartën e parë globale të koduar me ngjyra të Marsit më 24 prill, në Ditën e Hapësirës të Kinës për vitin 2023. Rezolucioni i saj 76 metra në hapësirë ofron cilësi më të mirë për kryerjen e projekteve të ardhshme të eksplorimit e kërkimit shkencor mbi Marsin.

Imazhet e hartave me ngjyra u paraqitën së bashku nga Administrata Kombëtare Hapësinore e Kinës (CNSA) dhe Akademia Kineze e Shkencave (CAS) në një ceremoni promovimi në Hefei të provincës lindore kineze Anhui.

Imazhet me ngjyra, së bashku me të dhënat shkencore të marra nga misioni i Marsit “Tianwen-1”, do të ndihmojnë në thellimin e njohjes sonë për “planetin e kuq”, tha CNSA.

Kamera me rezolucion të mesëm e orbituesit të misionit “Tianwen-1” kreu 284 detyra të marrjes së imazheve me anë të gjurmimit orbital në largësi nga nëntori 2021 deri më korrik 2022, duke siguruar mbulimin e të gjithë sipërfaqes marsiane. Sistemi i aplikimit në tokë përpunoi 14 757 pamje për të marrë imazhet e ngjyrosura të hartës së planetit.

"Ky proces ka krijuar kërkesa të larta për kontrollin orbital," i tha CGTN-it në një intervistë në aktivitetet e Ditës së Hapësirës së Kinës Zhang Rongqiao, kryeprojektuesi i Programit Kinez të Eksplorimit të Marsit.

Ai është i bindur se ngjyrat e paraqitura në hartë janë të sakta dhe pasqyrojnë me vërtetësi planetin e kuq.

"Ky imazh me ngjyra të plota i Marsit jo vetëm ofron një hartë bazë me cilësi më të mirë për projektet e eksplorimit dhe kërkimit shkencor lidhur me Marsin të vendit tonë, por edhe për kolegët tanë të huaj. Unë besoj që ky është një kontribut i rëndësishëm i bërë nga ‘Tianwen-1’ për eksplorimin e hapësirës së thellë, për të gjithë njerëzimin," tha Zhang.