OKB: Përkeqësimi i luftimeve në Sudan kufizon operacionet humanitare
2023-04-21 11:03:23

Foto nga VCG

Në një situatë të përkeqësuar, luftimet në Sudan kufizojnë ashpër operacionet humanitare, bëri të ditur Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA), citon “Xinhua”.

“Ka aftësi të kufizuara për të lëvizur personelin dhe furnizimet. Synimi dhe grabitja ndaj objekteve humanitare duhet të ndalet. Sulmet ndaj aseteve dhe objekteve humanitare do të ndikojnë rëndë aftësinë tonë për të rifilluar operacionet e shpëtimit”,- bëri të ditur OCHA.

Kjo zyrë njoftoi se Programi Botëror i Ushqimit pezulloi përkohësisht operacionet pas vrasjes së tre anëtarëve të stafit, nga luftimet në Darfurin e Veriut.

“Sulmet ndaj objekteve publike kritike, duke përfshirë shëndetin, ujin, kanalizimet dhe higjienën, ndikojnë rëndë aksesin në shërbimet thelbësore”,- deklaroi Stephane Dujarric, zëdhënësi kryesor i shefit të OKB-së Antonio Guterres, ndërsa theksoi se punëtorët humanitarë në Khartoum janë të izoluar.

Ai tha se anëtarët e stafit humanitar u urdhëruan të qëndronin në apartamentet e tyre ose, në rastin e punonjësve, apartamentet e të cilëve u morën nga luftëtarët, të qëndronin në apartamentet e miqve, fqinjëve ose bashkëpunëtorëve.

Humanitarët thanë se nëntë spitale në Khartoum dhe dy në Bahri u mbyllën për shkak të bombardimeve dhe pasigurisë.

Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëroi se disa prej spitaleve të Khartoum-it kishin mbetur pa gjak, pajisje transfuzioni, lëngje intravenoze dhe pajisje të tjera jetike mjekësore.

OCHA raportoi se në ditën e katërt të luftimeve midis Forcave të Armatosura sudaneze dhe Forcave të Mbështetjes së Shpejtë pati më shumë se 180 viktima dhe të paktën 1800 të plagosur. (Irma)