Bullgaria pezullon importin e ushqimeve nga Ukraina
2023-04-21 10:17:05

Foto nga VCG

Bullgaria pritet të vendosë një ndalim të përkohshëm për importet ushqimore nga Ukraina, me përjashtim të mallrave tranzit, bëri të ditur kryeministri i përkohshëm, Galab Donev.

“Arsyeja kryesore është se gjatë vitit të kaluar, në kundërshtim me idenë e të ashtuquajturave korridore të solidaritetit, vëllime të konsiderueshme të produkteve bujqësore dhe ushqimore të Ukrainës mbetën në vend, gjë që prishi zinxhirët kryesorë të prodhimit dhe tregtisë”,- tha ai, citon “ATSH”.

Donev theksoi se nëse ky trend vazhdon dhe madje rritet, që është mjaft reale pas futjes së ndalimeve të ngjashme nga vendet e tjera, kjo do të çonte në pasoja jashtëzakonisht të rënda për biznesin bullgar.

“Si një qeveri që dëshiron të zgjidhë problemet e qytetarëve bullgarë, ne nuk mund të lejojmë që kjo të ndodhë. Ne jemi të detyruar ta miratojmë këtë masë, pasi autoritetet europiane përgjegjëse nuk kanë dhënë ende një përgjigje adekuate për rrethanat e ndryshuara në lidhje me korridoret e solidaritetit”, shtoi Donev.

Galab Donev theksoi se Sofja zyrtare shpreson që BE-ja të dëgjojë dhe të kuptojë qëndrimet e Bullgarisë, Polonisë, Hungarisë dhe Sllovakisë dhe të rishikojë qëndrimin e saj për këtë çështje.

“Bullgaria mbetet në solidaritet me Ukrainën, por falimentimet e prodhuesve bujqësorë bullgarë nuk do të kontribuojnë asgjë në këtë kauzë”, përfundoi kryeministri i përkohshëm bullgar. (Irma)