Ministrja Xhaçka: Kroacia do të ndihmojë Shqipërinë me ekspertizë teknike për integrimin në BE
2023-04-19 10:07:30

Foto nga ATSH

Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka, priti në një takim homologun kroat, Gordan Grlik Radman. Në një konferencë të përbashkët shtypi, kryediplomatja shqiptare deklaroi se Kroacia do të ndihmojë Shqipërinë me ekspertizë konkrete për integrimin në Bashkimin Europian.  

Ministrja Xhaçka bëri të ditur se me homologun kroat biseduan për rritjen e bashkëpunimit dypalësh dhe realizimin për herë të parë të takimit të përbashkët të dy qeverive, shkruan “RTSH”.  

“Kroacia do të vazhdojë të jetë mbështetëse e procesit tonë të integrimit, jo vetëm politikisht por edhe me ekspertizë teknike konkrete. Diskutuam për procesin e integrimit dhe më lejoni t’iu kujtoj se kryeministri Rama i ka kërkuar homologut të tij kroat ndihmën e ekspertëve negociatorë për procesin integrues të Shqipërisë. Rritja e bashkëpunimit dypalësh zë vend të rëndësishëm. Diskutuam edhe për një sërë aktivitetesh që mund të organizohen për herë të parë, si takimi i përbashkët i dy qeverive. Sugjeruam mbajtjen e takimit të 6-të të Komisionit të Përbashkët Ekonomik dhe Forumit të Biznesit”, - tha Xhaçka.  

Kryediplomati Radman shprehu gatishmërinë e Kroacisë për të mbështetur me ekspertizë teknike konkrete Shqipërinë, për të realizuar transmetimin e njohurive për integrimin në BE.  

“Siguria në fushën e energjisë, ndërlidhjes, infrastruktura, dinamika rajonale, bashkëpunimi, të gjitha këto janë në qendër të rrethanave aktuale. Kemi pasur lidhje të shkëlqyera dhe të forta. Kroacia ka mbështetur dhe do të vijojë të mbështesë rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE-së. Do të ndihmojmë në negociatat e anëtarësimit që ato të ecin me ritëm të shpejtë. Jemi gati të ofrojmë mbështetje teknike për Shqipërinë për të realizuar transmetimin e njohurive për integrimin e Shqipërisë në BE”,- deklaroi ministri i Jashtëm kroat gjatë vizitës në Tiranë. (Elona)