Prodhuesi kinez i qelizave diellore bashkëpunon me firmën austriake të energjisë për zhvillim të qëndrueshëm
2023-04-19 14:20:12

Foto nga VCG

Prodhuesi kinez i qelizave diellore “Aikosolar” dhe kompania austriake e energjisë “Burgenland Energie” nënshkruan një marrëveshje paraprake për të nxitur bashkërisht vendosjen e energjisë diellore në rajonin austriak të Burgenland.

Marrëveshja mbulon ndërtimin e një qendre të përbashkët inovacioni dhe një qendre vizitorësh në Burgenland, si dhe bashkëpunimin në kërkim dhe zhvillim në fusha duke përfshirë mikrorrjetet, internetin e energjisë dhe neutralitetin e karbonit, tha “Aikosolar”, citon “Xinhua”.

Në një ceremoni nënshkrimi të hënën, Chen Gang, drejtor i “Aikosolar”, tha se të dyja palët do të përdorin plotësisht avantazhet dhe burimet e tyre për të ndihmuar Burgenland të promovojë zhvillimin e qëndrueshëm dhe të arrijë objektivin për neutralitetin e karbonit.

Stephan Sharma, CEO i “Burgenland Energie”, i tha “Xinhua” se bashkëpunimi i kompanisë së tij me “Aikosolar” do të kontribuonte në pavarësinë energjetike.

“Burgenland Energie” është një prodhues kryesor i energjisë diellore dhe të erës në Austri. Me një rrjet global shitjesh, “Aikosolar” tani shet produkte në Europë dhe vendet aziatike, duke përfshirë Korenë e Jugut, Japoninë dhe Indinë. (Elona)