Prodhime e teknologji të reja në Panairin e Importit dhe Eksportit të Kinës
2023-04-17 16:18:54

foto nga

Pjesëmarrës të shumtë vendës e të huaj në Panairin e 133-të të Importit dhe Eksportit të Kinës në qytetin Guangzhou në provincën Guangdong të Kinës Jugore, 15 prill 2023 / CFP

Prodhimet dhe teknologjitë e reja kanë tërhequr vëmendje të gjerë në Panairin e 133-të të Importit dhe Eksportit të Kinës, i cili nisi të shtunën në Guangzhou, në provincën jugore të Kinës Guangdong.

Panairi, i njohur gjithashtu si Panairi i Kantonit, vlerësohet si tregues kryesor i ecurisë së tregtisë së jashtme të Kinës. Edicioni i këtij viti ka zona të reja ekspozimi, duke përfshirë automatizimin industrial dhe prodhimin inteligjent, energjitë e reja dhe makinat e lidhura me rrjetin në mënyrë inteligjente, për të përmbushur kërkesat e tregut.

Tre makina ajrore autonome në këtë veprimtari kanë tërhequr shumë blerës e vizitorë. Ato përfshijnë një makinë për të bartur udhëtarë, një për të ndihmuar në fikjen e zjarrit në lartësi të mëdha dhe një për të transportuar mallra, sipas kompanisë prodhuese, "EHang Holdings" me qendër në Guangzhou.

Një makinë ajrore autonome në Panairin e 133-të të Importit dhe Eksportit të Kinës në qytetin Guangzhou në provincën Guangdong të Kinës Jugore, 16 prill 2023/ CMG

Autobusë, taksi dhe pajisje pastrimi rrugësh automatike të një kompanie tjetër vendase, "WeRide", kanë tërhequr vizitorët nga provincat e tjera kineze dhe Meksika, Rusia e vendet e Lindjes së Mesme, sipas Rrjetit Kinez të Biznesit.

Përveç kësaj, 800 000 produkte të reja janë paraqitur në internet këtë vit, midis të cilave rreth 500 000 janë produkte të gjelbra dhe me karbon të ulët, duke treguar se ndërmarrjet po u kushtojnë më shumë vëmendje prodhimeve të gjelbra, me karbon të ulët e që mbrojnë mjedisin.

Panairi i Kantonit është organizuar për herë të parë në vitin 1957 dhe është dëshmitar i përmirësimit të strukturës industriale në vitet e fundit. Studimet tregojnë se, në disa vitet e fundit, produktet e ekspozuara kanë kaluar nga veshjet, këpucët e kapelet në prodhime të teknologjisë së lartë, të tilla si energjia e re, elektromekanika dhe pajisje me vlerë të lartë të shtuar e robotë inteligjentë.

Edicioni i këtij viti i panairit është planifikuar të zhvillohet deri më 5 maj në tre faza. (Artan)