Trump për herë të dytë në Prokurori, këtë herë për mashtrim me bankat
2023-04-15 12:21:04

Foto nga VCG

Ish-presidenti, Donald Trump, u paraqit në zyrat e Prokurorit të Përgjithshëm të Nju Jorkut, për përballjen e tij të dytë ligjore, mbi praktikat e biznesit të kompanisë së tij. Ai shoqërohej nga avokatja e tij, duke sinjalizuar se këtë herë ai synon t'u përgjigjet pyetjeve, në vend që të përdorë Amendamentin e Pestë që lidhet me mbrojtjen kundër vetëinkriminimit.

“Donald Trump mbetet i vendosur në qëndrimin e tij se nuk ka asgjë për të fshehur para kryeprokurorit”- deklaroi avokatja e tij, Alina Habba, përcjell “RTSH”. 

Republikani fillimisht u takua me avokatët e Prokurores së Përgjithshme Letitia James, e cila e paditi Trump vitin e kaluar. 

Padia e saj pretendon se Trump dhe familja e tij mashtruan bankat dhe bashkëpunëtorët e biznesit duke u dhënë atyre informacione të rreme për vlerën e tij neto dhe vlerën e aseteve të tilla si hotelet dhe fushat e golfit.

Padia nuk ka lidhje me akuzat penale për krime të ngritura kundër Trump nga prokurori i qarkut të Manhattanit, që çoi javën e kaluar në akuzën historike për inkriminim, e para për një ish-president amerikan. (Irma)