Muzeu “Reina Sofia” në Spanjë shfaq 4 filma të regjisores shqiptare
2023-04-15 11:47:14

Foto nga RTSH

Muzeu “Reina Sofia” në Madrid, një nga institucionet më prestigjioze të kulturës spanjolle, organizoi për herë të parë një event dedikuar regjisores shqiptare Xhanfise Keko, të titulluar “Bota për fëmijët”.

Kuratori Chema Gozales ka përzgjedhur për të shfaqur për publikun spanjoll katër filma përfaqësues të saj: “Tomka dhe shokët e tij”, “Beni ecën vetë”, “Mimoza llastica” dhe “Taulanti kërkon një motër”, shkruan “RTSH”.

“Eshtë e mrekullueshme kjo që po ndodh, të prezantojmë më në fund një përfaqësues të kinemasë shqiptare dhe akoma më shumë një grua që, megjithëse shumë e njohur dhe shumë e vlerësuar në vendin e saj, fatkeqësisht vijon të jetë një kineaste e panjohur në historinë e kinemasë botërore për çfarë krijoi, ku krijoi dhe kur krijoi. Shpresoj shumë që ky homazh të ndihmojë sado pak për të vënë në vend këtë padrejtësi”,- theksoi kuratori në fjalën e tij.

Pjesë e këtij organizimi ishte edhe mbesa e regjisores, Denise Keko Andoni, e cila tregoi për të pranishmit copëza nga jeta e regjisores dhe punën e saj me fëmijët e filmave, që nga njohja deri te ritakimet pas shumë vitesh.

Katër filmat e përzgjedhur do të shfaqen nga dy herë në këtë event, i cili nisi mbrëmjen e së mërkurës me filmin “Tomka dhe shokët e tij” dhe do të vazhdojë deri më 29 prill.

Retrospektiva dedikuar regjisores Xhanfise Keko do të organizohet edhe në qytetin Santiago de Compostela nga “NUMAX Kinema”, nga data 2-24 maji.

Disa nga shtetet e tjera në të cilën ka udhëtuar dhe është mirëpritur krijimtaria artistike e regjisore shqiptare janë: Amerika, Kanadaja, Brazili, Britania e Madhe, Franca, Italia, Gjermania, Zvicra, Austria, Çekia, Rumania, Danimarka, Israeli, Greqia. (Irma)