Banka Botërore, grant 200 milionë dollarë për infrastrukturën e energjisë në Ukrainë
2023-04-14 14:35:16

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Banka Botërore do të financojë 200 milionë dollarë për të ndihmuar në rregullimin e infrastrukturës së energjisë dhe ngrohjes të Ukrainës.

Granti prej 200 milionë dollarësh do të përdoret për të bërë riparime urgjente të transformatorëve, kaldajave të lëvizshme të ngrohjes dhe pajisjeve të tjera kritike emergjente, njoftoi Banka Botërore në një deklaratë, raporton “The Guardian”, citon “RTSH”.

Banka Botërore ka mobilizuar më shumë se 23 miliardë dollarë financim emergjent për Ukrainën, duke përfshirë angazhimet dhe premtimet nga donatorët. Më shumë se 20 miliardë dollarë prej tyre janë disbursuar përmes disa projekteve.

Infrastruktura energjetike ka pësuar dëme prej 11 miliardë dollarësh, gjatë vitit të kaluar, dhe është një nga fushat më kritike ku Ukraina ka nevojë për mbështetje urgjente, deklaroi Anna Bjerde, drejtoresha menaxhuese e operacioneve të Bankës Botërore.

Gjatë muajve të vjeshtës dhe të dimrit, më shumë se gjysma e infrastrukturës energjetike të Ukrainës u dëmtua, duke rezultuar në ndërprerje të energjisë në mbarë vendin që kontribuan në mungesë të ushqimit, ngrohjes dhe ujit. (Irma)