Inflacioni i detyron grekët të ulin konsumin e kafesë
2023-04-14 14:42:54

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Konsumimi i kafesë është një pjesë integrale e kulturës greke. Megjithatë, presioni inflacionist i vitit të kaluar ka detyruar rreth 54 për qind të adhuruesve të kafesë të reduktojnë zakonin e tyre, thuhet në studim nga shoqata “Hellenic Coffee”, citon “Xinhua”.

Megjithatë, sipas presidentit të shoqatarës, Ioannis Benopoulos, konsumi i kafesë mbetet ende i lartë. Sipas tij, mesatarisht, grekët konsumojnë katër kilogramë kafe për frymë çdo vit.

Grekët janë ndër 20 konsumatorët më të mëdhenj të kafesë në botë, sipas Organizatës Ndërkombëtare të Kafes (ICO).

Të paktën tetë nga dhjetë të pyetur në Greqi thonë se pinë kafe çdo ditë, ndërsa shtatë në dhjetë adhurues të kafesë pinë më shumë se dy filxhanë në ditë dhe nuk do ta zëvendësonin kafenë me asnjë pije tjetër, sipas një sondazhi të kryer nga “Kapa Research”.

Në Greqi, njerëzit pinë kafe në pothuajse të gjitha mjediset sociale. Përveç shijimit, është edhe një justifikim për t'u bashkuar me të afërmit, kolegët dhe miqtë.

Megjithatë, përballë rritjes së inflacionit në mes të krizës energjetike dhe konfliktit të Ukrainës, shumë grekë kanë hequr dorë nga ideja për t'u ulur në kafene, tregoi sondazhi. Disa të anketuar zgjodhën përgatitjen e kafesë në shtëpi.

Norma e inflacionit në bazë vjetore arriti një rekord në 30 vjetë, prej 12 për qind, qershorin e kaluar, bëri të ditur Autoriteti i Statistikave Greke (ELSTAT). Norma ishte 9.3 për qind për të gjithë vitin, sipas vlerësimeve të fundit të Bankës së Greqisë.

“Rritja e çmimeve të lëndëve të para dhe energjisë ka ndikuar gjithashtu në çmimin e kafesë që shitet në kafene”,- tha për “Xinhua” pronari i një kafeneje, Giorgos Karamanidis.

Të dhënat për gushtin 2022 treguan se çmimi i kafesë në Bashkimin Europian ishte mesatarisht 16.9 për qind më i lartë se në gusht 2021, sipas zyrës statistikore të BE-së, Eurostat.

Në vitin 2022, pronarët grekë të dyqaneve panë që çmimi i sheqerit të dyfishohej brenda një viti. Në qershor 2022, çmimet e energjisë elektrike ishin 70.4 për qind më të larta se në të njëjtin muaj të vitit 2021, njoftoi ELSTAT.

Megjithëse inflacioni u ngadalësua në 4.6 për qind në mars të këtij viti krahasuar me marsin 2022, si rezultat i çmimeve më të ulëta të energjisë, shumë konsumues të kafesë duket se ende mendojnë dy herë përpara se të ulen në një kafene. (Irma)