Ministri i jashtëm kinez nxit ngritjen e marrëdhënieve Kinë-Uzbekistan në një nivel të ri
2023-04-13 17:29:40

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Këshilltari i Shtetit e ministri i Jashtëm kinez Qin Gang theksoi të mërkurën që Kina është e gatshme të punojë me Uzbekistanin për t'i ngritur marrëdhëniet dypalëshe në një nivel të ri.


Në një takim me presidentin uzbekistanas Shavkat Mirziyoyev në Tashkent, kreu i diplomacisë së Kinës u shpreh po ashtu se të dy palët kanë rënë në një mendje për ndërtimin e bashkësisë me të ardhme të përbashkët të njerëzimit.


Ministri i Jashtëm kinez u bëri thirrje të dy palëve të zbatojnë planin pesëvjeçar për bashkëpunimin në ekonomi, tregti dhe investime, duke kërkuar më shumë përpjekje për të arritur objektivin për një vëllim vjetor të tregtisë prej 10 miliardë dollarësh, të vendosur nga të dy krerët e shtetit, si edhe për ndërtimin sa më parë të hekurudhës Kinë-Kirgizistan-Uzbekistan, për të ndihmuar lidhjen rajonale.


Foto nga VCG

Foto nga VCG

Bashkëpunimi mbi energjitë e reja duhet të zgjerohet për të optimizuar strukturën energjetike dhe për të ruajtur sigurinë energjetike, theksoi Qin Gang. Ai bëri thirrje gjithashtu për shkëmbime ndërmjet pushteteve vendore e organizatave joqeveritare dhe për bashkëpunim për të konsoliduar themelet e miqësisë ndërmjet të dy popujve.


Kina e vlerëson shumë mbështetjen e vyer të Uzbekistanit në çështjet lidhur me interesat thelbësore të saj, tha kryediplomati kinez, duke premtuar përkrahje për Uzbekistanin mbi mbrojtjen e sovranitetit, pavarësisë e integritetit territorial dhe nxitjen e reformës e zhvillimit.


Qin tha se Kina është kundër ndërhyrjes nga çdo forcë e jashtme në punët e brendshme të Uzbekistanit dhe është e gatshme të punojë me Uzbekistanin për të luftuar së bashku terrorizmin, separatizmin e ekstremizmin, me qëllim mbrojtjen e paqes dhe të qëndrueshmërisë së të dy vendeve dhe të mbarë rajonit.


Ministri i Jashtëm kinez çmoi kontributin e Uzbekistanit në përgatitjen e takimit të katërt të ministrave të jashtëm të vendeve fqinje të Afganistanit, duke shtuar se Kina do të punojë me Uzbekistanin për të nxitur suksesin e këtij takimi.


Presidenti uzbekistanas Shavkat Mirziyoyev vlerësoi nga ana e tij arritjet e zhvillimit të Kinës. Ai shtoi se marrëdhëniet dypalëshe janë ngritur në një nivel të lartë pas takimit të dy krerëve të shtetit vitin e kaluar.


Pala uzbekistanase e çmon mbështetjen e Kinës dhe do të vazhdojë të ndjekë me vendosmëri parimin e "Një Kine", e ndërtimin e bashkësisë me të ardhme të përbashkët të njerëzimit, tha ai.


Foto nga VCG

Foto nga VCG

Sipas kreut të shtetit të Uzbekistanit, vendi i tij do të bëjë përgatitjet e duhura për mbledhjen e komitetit të bashkëpunimit ndërqeveritar Kinë-Uzbekistan. Ai bëri thirrje për zgjerimin e bashkëpunimit në fushat e ekonomisë dhe tregtisë, energjisë së re, infrastrukturës dhe shkëmbimeve njerëzore.


Presidenti Mirziyoyev shtoi gjithashtu se mirëpret pjesëmarrjen në Samitin Kinë-Azi Qendrore dhe në Forumin e 3-të për Bashkëpunimin Ndërkombëtar "Një brez, një rrugë".