Mbi 170.000 persona në Gansu të Kinës u zhvendosën në rajone më të sigurta
2023-04-12 15:37:36

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Më shumë se 170.000 persona në provincën Gansu të Kinës veriperëndimore janë shpërngulur nga zonat e prira ndaj katastrofave gjeologjike, që nga fillimi i një projekti zhvendosjeje në vitin 2022, njoftoi qeveria provinciale, citon “Xinhua”.  

Gansu është një nga rajonet ekologjikisht më të brishta në Kinë. Zonat shumë të ndjeshme ekologjikisht përbëjnë 12.14 për qind të sipërfaqes totale të provincës, ndërsa zonat e prira ndaj fatkeqësive gjeologjike përbëjnë më shumë se gjysmën e totalit.  

Gansu filloi projektin e zhvendosjes në vitin 2022 që synon të zhvendosë, në faza, një total prej më shumë se 1 milion njerëz në rajone më të sigurta, tha në një konferencë shtypi Wang Chi, zëvendësdrejtor i departamentit të burimeve natyrore provinciale.  

Këtë vit, Gansu planifikon të zhvendosë 152.000 persona nga më shumë se 40.000 familje, tha Wang.  

Autoritetet rajonale kanë marrë masa të ndryshme për të përmirësuar jetën e njerëzve të zhvendosur, duke përfshirë ndërtimin e shkollave të reja ose përmirësimin e shkollave fillore dhe të mesme rurale, kopshteve, klinikave dhe qendrave të kujdesit për të moshuarit.  

Çdo familje e zhvendosur mund të marrë një subvencion prej 100.000 juanë (rreth 14.536 dollarë amerikanë) dhe një kredi të butë deri në 50.000 juanë. (Elona)