Kina, e gatshme të jetë partnere e besueshme e OKB-së në ruajtjen e paqes botërore
2023-04-12 14:39:06

Foto nga Chinese Foreign Ministry

Foto nga Chinese Foreign Ministry

Kina është e gatshme të jetë një partnere e besueshme e Kombeve të Bashkuara (OKB) në ruajtjen e paqes botërore dhe nxitjen e zhvillimit të përbashkët, theksoi të martën ministri i Jashtëm kinez Qin Gang gjatë takimit në Pekin me nënsekretaren e përgjithshme të OKB-së për Çështjet Politike dhe të Vendosjes së Paqes Rosemary A. DiCarlo.

Si një vend anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe një vend i madh i përgjegjshëm, Kina ka qenë një mbështetëse e vendosur dhe një pjesëmarrëse e rëndësishme në kauzën e OKB-së që kur vendi i saj i ligjshëm në OKB-në u kthye më 1971, tha Qin. Kina mbështet fuqimisht qëllimet dhe parimet e Kartës së OKB-së si tani, ashtu edhe në të ardhmen, dhe do të jetë gjithmonë një krijuese e paqes botërore, një kontribuese në zhvillimin botëror dhe një mbrojtëse e rendit ndërkombëtar, shtoi ai.

Kryediplomati vuri në dukje se bashkëpunimi i Kinës me OKB-në nuk është vetëm në dobi të njëri-tjetrit, por edhe të botës.

Sipas tij, në një botë të ndërlidhur me trazira dhe ndryshime, është e nevojshme të ruhet multilateralizmi i vërtetë, të mbështetet drejtësia e barazia dhe të forcohet solidariteti e bashkëpunimi, për t'u shkëputur nga rrethi vicioz i konflikteve të përsëritura dhe i kundërvënieve ndërmjet fuqive të mëdha. Kina do të mbështesë me forcë OKB-në në luajtjen e një roli konstruktiv në çështjet e nxehta ndërkombëtare dhe rajonale, tha ministri i Jashtëm Qin Gang.

Nga ana e saj, DiCarlo e falënderoi Kinën për mbështetjen e fortë ndaj OKB-së dhe tha se OKB-ja është e gatshme të vazhdojë të thellojë bashkëpunimin me Kinën dhe të propozojë së bashku më shumë zgjidhje për çështjet e nxehta ndërkombëtare dhe rajonale.