Rama: Rritja e pagave, fryt i punës së përbashkët të çdo shqiptari
2023-04-11 09:48:18

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se pagat e reja janë fryt i një përpjekjeje të gjatë, këmbënguljeje dhe durimi të madh për reforma të vështira.

Në një postim në rrjetet sociale, kryeministri Rama ka komentuar vendimin me të fundit të qeverisë për rritjen e pagave, se kjo rritje është fryt i punës së përbashkët, të çdo personi në vend që kontribuon për ekonominë shqiptare me punën e vet.

“Duke arritur majën historike të 900 eurove në vitin 2024, kjo është fryt i një përpjekjeje të gjatë, këmbënguljeje e durimi të madh për reforma të vështira e masa të domosdoshme për ekonominë dhe për financat shqiptare”, shkruan kryeministri Rama, citon “ATSH”.

Qeveria shqiptare po ndërmerr një reformë të madhe në sistemin e  pagave, me qëllim rritjen e mirëqenies për çdo qytetarë, si dhe vlerësimin e profesionistëve bazuar edhe në kontributin e tyre ndër vite. Reforma do të zbatohet me dy hapa për tu përmbyllur në harkun kohor të një viti. Paga mesatare në përfundim të implementimit të plotë të reformës së pagave, do të shkojë në 900 euro nga 530 euro që është sot.

Reforma e pagave nisi këtë prill me rritjen e pagave për mjekët, mësuesit dhe forcat e sigurisë, ku përfshihen Policia e Shtetit, ajo e burgjeve dhe zjarrfikësit. (Fatosi)