Bisedimet Xi-Macron-von der Leyen në Pekin Mundësi të Reja Zhvillimi të Marrëdhënieve Kino-Europiane
2023-04-10 14:59:42

Sikurse pritej ndër ngjarjet politiko-diplomatike të këtyre kohëve të fundit vizitat në Kinë të Presidentit francez Emmanuel Macron dhe të presidentes së Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe rezultatet e bisedimeve me Presidentin Xi Jinping dhe udhëheqës të tjerë kinezë (5-7 prill 2023) janë bërë kryetemë në vendet përkatëse por edhe në mbarë botën. Pekini u bë me kuptimin e plote të fjalës kryeqyteti diplomatik i botës, duke pritur dy takime që kishin potencialin për ti dhënë energji e mundësi të reja zhvillimit të marrëdhënieve të gjithanshme kino-evropiane edhe si kontribut për të zbutur pasojat e krizës më të madhe globale ekonomiko-financiare, si dhe për të zhbllokuar një nga konfliktet më të mëdha e më të rrezikshme për njerëzimin, që mund të rrënojnë globin - konfliktin nëntëvjeçar midis Rusisë dhe Ukrainës. Nga ana tjetër, pamja në Pekin në të njëjtën kohë me liderët europianë të ministrave të jashtëm të Arabisë Saudite dhe Iranit, dy vende rivalë rajonalë që i dhanë fund përplasjes 30-vjeçare që nga vitet 1960 me një marrëveshje për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike nën kujdesin kinez, plotësoi akoma më shumë rëndësinë e padiskutueshme të Kinës në skenën globale pas Covidit.

Xinhua

Duhet thënë që në krye të herës se Kina shënoi një hop sinjifikativ duke u pozicionuar në planin më të parë si faktori aktual ndër më potencialët në diplomacinë botërore. Në fakt interesi lidhur me këto ngjarje kishte nisur që kur u njoftuan vizitat e veçanta të Makronit, lider i një vendi themelues i BE-së sikurse është Franca, roli kyçi i të cilës është determinues në bllok e Europë, si dhe të Presidentes së BE-së Ursula von der Leyen sepse po shkonin në Kinën gjigande e kthyer në një ndër fuqitë më të mëdha dhe determinuese në çdo zhvillim në botë kur njerëzimi ndodhet në krizën më të madhe rrënuese që prej një shekulli. Interesi i opinionit paqedashës mbarëbotëror lidhej me pritshmëritë e popujve që bisedimet Pekin-Paris-Bruksel të kontribuonin për krijimin e një atmosfere më të qetë ndërkombëtare e për zbutjen e krizës globale me të gjithë pasojat e saj edhe nga pandemia kovidiane. Por mbi të gjitha pritshmëritë nga vizitat e bisedimet ishte hapja e një epoke të re në marrëdhëniet midis Pekinit me Parisin e Brukselin për të rivitalizuar dhe nxitur bashkëpunimin shumëplanësh e thelbësor në më shumë sektorë në situatat e reja ndërkombëtare, si dhe për të ngushtuar dallimet e tyre duke rigjallëruar pajtueshmërinë për zgjidhjen paqësore të çështjeve të nxehta globale. 

Xinhua

Madhështia e pritjeve dhe takimeve, konferencave dhe aktiviteteve të tjera të shumta të organizuara në tre ditë intensive në këtë atmosferë pranverore në Pekinin plot gjelbërim e lule si dhe vizita e Makronit në Guangzhou të Kinës Jugore më 7 prill, në ditën e fundit të vizitës së tij shtetërore 3-ditore në Kinë, ku ai iu bashkua turmës entuziaste të studentëve në Universitetin "Sun Yat-sen", në mënyrë instinktive të injektojnë shpresë e optimizëm se ka nisur të fryjë një erë e re në marrëdhëniet midis këtyre fuqive të mëdha, duke i vënë fre përpjekjeve të ethshme të SHBA e të një grupi të vogël vendesh perëndimore pasuese të Uashingtonit për të nxitur një Lufte të re të Ftohte në botë me objektiv kryesor Kinën se, në fakt, një luftë të nxehtë po e mbajnë ndezur në Ukrainë.

“Kontrasti midis seriozitetit të shkëmbimeve në Pekin dhe rishfaqjes së operës komike të Donald Trump në SHBA mjafton për t'u kujtuar diplomatëve themelet e brishta të institucioneve amerikane”, komentonte gazeta britanike The Guardian më 7 prill 2023.

Faqe të tëra duhen për të përçuar hollësisht çfarë ndodhi në këto tre ditë në Pekin në kuadër të këtyre ngjarjeve të mëdha, që mund ti quajmë pa mëdyshje historike, por në fokus janë aspektet më kryesore të bisedimeve sepse agjenda protokollare e dy liderëve europiane ishte e ndryshme për faktin se edhe vizitat ishin të veçanta pavarësisht se ishin të sinkronizuara në një kohë. Por domosdo jo rastësisht ishte kështu duke patur parasysh rolin determinues të Francës në BE dhe në fakt kishte edhe një takim trepalësh midis presidentit Xi dhe liderëve Macron dhe Ursula von der Leyen ku kjo e fundit përfaqësonte të 27 vendet anëtare të bllokut europian.

Turneu i Macron ishte vizita e tij e tretë shtetërore në Kinë si president teksa e para ishte në 2018 dhe e dyta në 2019, ndërsa vizita e lideres së BE-së ishte e para në statusin e saj aktual.

Duke mirëpritur Presidentin Macron në Kinë pas më shumë se tre vjetëve Xi deklaroi në takimin dypalësh më 6 prill se situata ndërkombëtare ka ndryshuar shumë gjatë kësaj periudhe dhe bota po njeh ndryshime të thella historike. Me përpjekjet e përbashkëta të të dy palëve, marrëdhëniet kino-franceze kanë ruajtur prirjen e zhvillimit aktiv e të qëndrueshëm. 


Xinhua

"Ne kemi mbajtur kontakte të ngushta strategjike në mënyra të ndryshme. Kina dhe Franca e kanë përkrahur njëra-tjetrën në luftën kundër pandemisë dhe vëllimi i tregtisë dypalëshe ka pasur rritje të shpejtë. Bashkëpunimi dypalësh në fushat e aviacionit e të fluturimeve hapësinore, të produkteve bujqësore etj., ka pasur arritje të rëndësishme. Të dy vendet kanë mbajtur gjithashtu shkëmbime e bashkëpunim të ngushtë për çështje si ndryshimet klimatike, biodiversiteti, zhvillimi i Afrikës etj.," tha kreu i shtetit i Kinës.

Sipas presidentit kinez, si vende anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe dy vende me një traditë pavarësie, dhe si përkrahëse të vendosura të multilateralizmit dhe demokratizimit të marrëdhënieve ndërkombëtare, Kina dhe Franca kanë aftësi dhe përgjegjësi për kapërcimin e mosmarrëveshjeve e kufizimeve, për zhvillimin e marrëdhënieve të qëndrueshme të partneritetit të gjithanshëm strategjik me përfitime të përbashkëta dhe për zbatimin e multilateralizmit për të mbrojtur paqen, qëndrueshmërinë e lulëzimin e botës.

Xinhua

 Po ashtu ai shprehu bindjen që vizita e presidentit Macron do t'i sjellë energji e mundësi të reja zhvillimit të marrëdhënieve kino-evropiane.

Duke sintetizuar fokusin e bashkëpunimit kino-francez Xi zbuloi se të dy palët vendosën njëzëri të punojnë së bashku në katër fusha. Së pari, për ruajtjen e qëndrueshmërisë së marrëdhënieve dypalëshe dhe të kontakteve të ngushta ndërmjet liderëve të të dy vendeve. Sivjet do të zhvillohet mbledhja dypalëshe për çështjet strategjike, financiare e të shkëmbimeve njerëzore sipas mekanizmit të dialogut të nivelit të lartë. Së dyti, Kina dhe Franca do të thellojnë bashkëpunimin në fushën e aviacionit e të fluturimeve hapësinore, të energjisë bërthamore civile, të zhvillimit të gjelbër, të risive tekniko-shkencore etj. Kina do të promovojë hapjen me botën e jashtme dhe do të ndajë me vendet e ndryshme mundësitë e reja që ofron zhvillimi i vet. Të dy vendet do të krijojnë një mjedis të barabartë biznesi për sipërmarrjet e njëra - tjetrës. Së treti, viti 2024 do të jetë 60-vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Kinës e Francës dhe Viti i Kulturës e i Turizmit Kinë-Francë. Me këtë rast, të dy vendet do të nxitin shkëmbimet në fusha të ndryshme, si kulturë, arsim, mësimin e gjuhëve, botime, kinematografi, turizëm, në nivel pushteti vendor, shkëmbime rinore etj. Me rastin e Lojërave Olimpike të Parisit 2024, të dy vendet do të thellojnë bashkëpunimin sportiv. Së fundmi, Kina dhe Franca duhet të përkrahin njëra-tjetrën, multilateralizmin botëror dhe demokratizimin e marrëdhënieve ndërkombëtare, si edhe të kundërshtojnë Luftën e Ftohtë dhe përballjen mes kampeve.

Presidenti francez u pajtua plotësisht me vlerësimin pozitiv të presidentit Xi për marrëdhëniet Francë-Kinë dhe sugjerimet e rëndësishme për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe. Gjatë gjashtë dekadave të fundit, marrëdhëniet Francë-Kinë kanë ruajtur një rritje të qëndrueshme dhe të shëndoshë. Pavarësisht modeleve të ndryshme të zhvillimit, të dy vendet kanë respektuar njëri-tjetrin, kanë komunikuar me sinqeritet dhe kanë arritur përfitime të ndërsjella në bashkëpunimin e tyre të gjerë.


Xinhua

Ndërkohë, të dyja palët kanë bërë përparim të rëndësishëm në përballimin e përbashkët të sfidave globale me të cilat ndeshet bota. Franca respekton dhe ndjek politikën e një Kine. Macron vuri në dukje se ai kishte marrë një delegacion të madh në Kinë për të kërkuar bashkëpunim më të ngushtë dhe shkëmbime njerëz me njerëz.

Më tej ai tha se Franca është e gatshme të punojë me Kinën për Forumin e 3-të për Bashkëpunim Ndërkombëtar ‘Një Brez, Një Rrugë’ që do të organizohet në Kinë. Franca përgëzon Kinën për angazhimin e saj të qëndrueshëm ndaj qëllimeve të Kartës së OKB-së dhe rolin e saj pozitiv në adresimin e çështjeve të pikave të nxehta rajonale dhe ndërkombëtare, dhe pret një komunikim dhe koordinim më të ngushtë me Kinën për paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në botë.

“Franca është e përkushtuar ndaj një politike të jashtme të pavarur dhe autonomisë strategjike të Evropës, dhe kundërshton nxitjen e konfrontimit, ndarjes dhe rivalitetit të bllokut”, tha Macron, duke shtuar se vendi i tij nuk do të zgjedhë anë. Në vend të kësaj, Franca bën thirrje për unitet dhe bashkëpunim për të mbajtur të qëndrueshme marrëdhëniet midis vendeve të mëdha. Ai tha se Franca do të mbajë komunikim të sinqertë dhe të thelluar me Kinën për të rritur besimin reciprok, për të kërkuar gjuhën e përbashkët duke rezervuar dallimet dhe për të ndjekur bashkëpunimin e hapur. Franca do të kontribuojë në mënyrë aktive në rritjen e marrëdhënieve BE-Kinë.

Në takimin trepalësh Kinë-Francë-BE me pjesëmarrjen e presidentit Xi Jinping, homologut të tij francez Emmanuel Macron dhe kryetares së Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, Xi u shpreh se Kina dhe Europa kanë interesa të gjëra të përbashkëta. Bashkëpunimi dypalësh është më i madh se konkurrenca dhe mendimet unanime janë më të shumta se mosmarrëveshjet.

Presidenti Xi theksoi në vazhdim se duhet të forcohet qëndrueshmëria e marrëdhënieve kino-europiane. Këto marrëdhënie nuk drejtohen kundër ndonjë pale të tretë e as nuk varen prej ndonjë pale të tretë. Kina i trajton gjithmonë marrëdhëniet me Europën nga këndvështrimi strategjik afatgjatë, duke ruajtur qëndrueshmërinë e politikës ndaj kontinentit. Të dy palët duhet të respektojnë interesat thelbësore dhe shqetësimet kryesore të njëra-tjetrës dhe të kërkojnë konsensusin nëpërmjet dialogut e konsultimeve, duke lënë mënjanë mosmarrëveshjet. Të dy palët duhet të respektojnë rrugët e zhvillimit të njëra-tjetrës. Kina dhe Evropa duhet të mbrojnë së bashku qëndrueshmërinë e paqen botërore dhe të kundërshtojnë hegjemonizmin, unilateralizmin dhe “shkëputjen”.


Xinhua

Ursula von der Leyen u shpreh nga ana e saj se pala europiane e respekton historinë dhe kulturën kineze. Zhvillimi i dialogut të sinqertë e konstruktiv dhe ruajtja e zhvillimit të vazhdueshëm të marrëdhënieve dypalëshe kanë rëndësi të madhe për paqen dhe qëndrueshmërinë e Europës. Europa dhe Kina janë partnere të rëndësishme tregtare, dhe “shkëputja nga Kina” nuk përputhet me interesat e palës evropiane e nuk është zgjedhja strategjike e BE-së. Pala europiane dëshiron të rifillojë dialogun ekonomiko-tregtar të nivelit të lartë me Kinën për të promovuar zhvillimin e qëndrueshëm të marrëdhënieve ekonomiko-tregtare europiano-kineze.

Gjatë bashkëbisedimit nga ana e tij presidenti Macron u shpreh që bota e sotme është plot me faktorë të paqartë dhe nevojitet forcimi i dialogut dhe i shkëmbimeve ndërmjet Europës e Kinës, duke respektuar njëra-tjetrën dhe me një qëndrim të sinqertë.

Të tre udhëheqësit shkëmbyen mendime edhe lidhur me krizën e Ukrainës. Ursula von der Leyen dhe Emmanuel Macron e njohën palën kineze me qëndrimin e palës europiane për këtë problem. Ata u shprehën se Kina nuk është krijuesja e krizës së Ukrainës dhe BE-ja i vlerëson përpjekjet e Pekinit për zgjidhjen politike të krizës.

Xi Jinping theksoi se Kina i përmbahet qëndrimit të nxitjes së bisedimeve paqësore në problemin e Ukrainës dhe u bën thirrje palëve të ndryshme të ruajnë gjakftohtësinë për të krijuar kushte për bisedimet paqësore. Tani detyra kryesore është armëpushimi. Pekini do të vazhdojë të luajë një rol aktiv për nxitjen e bisedimeve paqësore.

Sipas Xi-së të gjitha palët duhet të bëjnë pjesën e tyre dhe të krijojnë kushte për armëpushim dhe bisedime paqeje përmes një forcimi të besimit dhe Kina mbështet Europën për të luajtur rolin e saj në zgjidhjen politike të krizës.

Ndërkohë Presidenti kinez zbuloi se Kina është e gatshme të bëjë një thirrje të përbashkët me Francën drejtuar komunitetit ndërkombëtar që të tregohet racional, të dëshmojë përmbajtje dhe të shmangë marrjen e veprimeve që mund të shkaktojnë përkeqësimin e mëtejshëm të krizës në Ukrainë apo edhe daljen jashtë kontrollit të saj.

Macron shpehu pikëpamjen e Francës për këtë çështje dhe vlerësoi rolin e rëndësishëm të Kinës në zgjidhjen politike të krizës në Ukrainë. Franca bën thirrje për rifillimin e negociatave politike dhe zgjidhjen e krizës përmes mjeteve diplomatike për të arritur paqen e qëndrueshme në Europë. Franca shpreson të rrisë komunikimin dhe të bëjë përpjekje të përbashkëta me Kinën drejt paqes.

Në ndryshim nga Macron që fliste në emër të vendit të tij me entuziazëm për marrëdhëniet me Kinën duke minimizuar efektin e ndryshimeve midis dy vendeve kundrejt përfitimeve reciproke, Ursula von der Leyen ishte në një pozicion tjetër si përfaqësuese e 27 vendeve të BE-së disa prej të cilëve vazhdojnë linjën e tyre pro-amerikane ndaj Kinës lidhur me gjoja shkeljen e të drejtave të njeriut në rajonin e Xinjiangut e çështjen e rajonit kinez të Tajvanit.

Xinhua

Si në të shkuarën ata morën përgjigjen e merituar dhe Presidenti Xi ishte i prerë kur deklaroi, “Çështja e Tajvanit është në qendër të interesave thelbësore të Kinës”.

“Nëse dikush dëshiron të vëjë në diskutim parimin e ‘një Kine’, qeveria dhe populli kinez nuk do të pajtohen kurrë. Nëse dikush mbështetet te Kina për të bërë lëshime […] mbi Tajvanin, ky është një iluzion”, tha Xi, duke u dhënë përgjigje të gjithë atyre qarqeve që ndjekin linjën e SHBA me provokacionet e vazhdueshme për të acaruar situatën në Ngushticë duke përdorur kartën e çështjes së Tajvanit.

U duk qartë nga rezultatet e bisedimeve se Kina rithekson rëndësinë e lidhjes strategjike me BE e nuk kursen asnjë përpjekje në këtë drejtim, por pa shkelur asnjëherë vijën e kuqe jo vetëm ndaj Tajvanit por edhe për çështje të tjera sensitive që kanë të bëjnë me integritetin e saj territorial dhe sovranitetin e vendit, me politikën e jashtme të pavarur të një fuqie të madhe, me dinjitetin e 1.4 miliard kinezëve, që nuk mund të tolerojnë asnjë shkelje të lirisë e të drejtave të tyre, asnjë cenim të fitoreve të arritura në zhvillimin e pandalshëm të vendit drejt majave më të larta të modernizimit.  

E kur Uashingtoni vërtit kartën e sanksioneve ndaj Kinës i pasuar nga disa vende perëndimore koha ka treguar se ato ‘çipsat’ që ia sanksionon tregut kinez janë bërë mall për humor ndërsa ky vend është kthyer në fuqinë e dytë më të madhe ekonomike në botë, se si po popullohet më tej hapësira kozmike nga shkencëtarët e mrekullueshëm kinezë, që ftojnë edhe kolegët e tyre të vendeve të ndryshme tu bashkohen që ti ndërtojnë bashkë fatet e njerëzimit për një të ardhme më të mirë duke mposhtur çdo sfidë.

Liderët europianë Macron dhe von der Leye janë kthyer në Paris e Bruksel respektivisht. Tani e kanë fjalën teknicienët si në Kinë ashtu edhe në Francë e BE për të konkretizuar çfarë u ra dakort. Sikurse e ka provuar koha Kina është konsistente në zotimet e veta pa lënë vend për mëdyshje. Kësisoj topi është në fushën e palës evropiane, që t’i përmbahet qëndrimit objektiv të konfirmuar në Pekin për të konketizuar rivitalizimin e marrëdhënieve të partneritetit të gjithanshëm strategjik kino-europian.  

Genc Mlloja