Kina ndërton “arkën e Noes” me burimet e germoplazmës për diversitetin e specieve
2023-04-07 10:26:50


Foto nga VCG

Në filmin fantastiko-shkencor "The Wandering Earth", shkencëtarët vendosën në frigorifer 100 milionë fara të kulturave bazë brenda stacionit hapësinor dhe ruajtën hartat e ADN-së të bimëve dhe kafshëve globale. Në botën reale, ku humbja e shpejtë e burimeve të germoplazmës është bërë një sfidë veçanërisht urgjente, Kina po ndërton një numër bankash të burimeve që synojnë të ruajnë diversitetin e specieve.

Në Bankën e Burimeve Bujqësore të Germoplazmës në Tianjin, studiuesi Wang Lu punon në ekzaminimin e shkallës së mbirjes dhe përmbajtjes së ujit të farave të misrit dhe sojës, pasi banka mori kohët e fundit më shumë se 500 burime të reja germoplazme.

Burimet e germoplazmës së të korrave janë materiale gjenetike bimore të kultivuara me funksione gjenetike, të cilat luajnë një rol të rëndësishëm si në sigurinë ushqimore, ashtu edhe në inovacionin origjinal të shkencës dhe teknologjisë bujqësore, tha Lan Qingkuo, zëvendësdrejtor i Institutit të Burimeve të Germoplazmës dhe Bioteknologjisë nën Akademinë e Shkencave Bujqësore të Tianjin.

"Ka tetë banka të ndryshme në të cilat burimet e germoplazmës bujqësore ruhen në një mjedis me temperaturë të ulët dhe lagështi konstante",- vuri në dukje Wang, ndërsa paketonte farat në qese të ndryshme letre alumini me kode dydimensionale.

"Informacioni i farave, duke përfshirë llojet dhe burimet mund të lexohet shpejt pas skanimit të kodeve, duke ofruar lehtësi të madhe për punën kërkimore pasuese",- shtoi Wang. Zhdukja e specieve është një problem urgjent universal me të cilin përballet bota aktualisht, tha Cui Shuhong, zyrtar në Ministrinë e Ekologjisë dhe Mjedisit të vendit.

Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë vlerëson se 75 për qind e diversitetit të të korrave ka humbur që nga fillimi i shekullit të 20-të. Megjithëse disa varietete të vjetra të kulturave të caktuara jepnin rendiment të ulët dhe kishin rezistencë të dobët, ato ishin pritur mirë për shijen e tyre.

Nëse këto burime të germoplazmës mund të ruhen siç duhet, ato mund të ndihmojnë në fusha shkencore si identifikimi i gjenotipeve dhe studimi i evolucionit të specieve dhe gjithashtu të kontribuojnë në mbarështimin e ardhshëm të varieteteve të reja, me shije më të mirë dhe rendiment të lartë. Burimet e germoplazmës bujqësore në Kinë, të disponueshme për ruajtje afatgjatë, kanë tejkaluar 520,000, duke e renditur vendin të dytin globalisht në sasinë totale të ruajtjes.

"Në bazë të koleksionit të gjerë të burimeve të germoplazmës, ne do të jemi në gjendje të analizojmë thellësisht të dhënat e gjenotipit dhe fenotipit në të ardhmen dhe të përdorim të dhëna të mëdha dhe teknologjinë e mbarështimit biologjik për të kombinuar tiparet dhe gjenet për të kultivuar fara të reja që plotësojnë nevoja specifike”,- tha Lan.

Në të gjithë Kinën janë krijuar thesare të shumta të burimeve të germoplazmës. Në Akademinë Kineze të Shkencave Bujqësore është ngritur një bankë e re kombëtare e kulturave të germoplazmës,  duke përfshirë seksione me temperaturë të ulët dhe temperaturë ultra të ulët.

Sipas Lan, bankat e burimeve të germoplazmës në të gjithë vendin do të fokusohen në ruajtjen e këtyre burimeve dhe kërkimin shkencor dhe inovacionin, duke kontribuar në ruajtjen e diversitetit gjenetik dhe zhvillimin e qëndrueshëm.