Duhet të eliminohen ndërhyrjet në bashkëpunimin ekonomiko-tregtar kino-evropian
2023-04-04 20:42:04

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Qyteti Yiwu në Kinën Lindore quhet “supermarketi botëror”. Në anën tjetër të kontinentit euraziatik, Madridi i Spanjës është tregu më i madh i mallrave të vogla në Europë. Në vitin 2014, nisja nga funksionimi e trenit të mallrave Madrid-Yiwu lidhi furnizimin me konsumin në dy pikat e skajme të kontinentit euraziatik, duke mbuluar mbi 160 qytete të mbi 50 vendeve.

Konsulli i përgjithshëm i Spanjës në Shangai Luis Calvo u shpreh:

“Të gjitha këto kanë për qëllim afrimin ndërmjet tregut dhe prodhimit. Ne jemi në një ekonomi shumë të globalizuar. Gjithçka që është në ndihmë të zhvillimit të infrastrukturës, mendoj se është drejtimi i duhur. Prandaj, nga ky këndvështrim, mendoj se është e drejtë.”

Alvito Garcia, menaxheri operativ i stacionit të mallrave “Abronigal” të Madridit, në 9 vjetët e kaluar ka parë rigjallërimin e këtij stacioni trenash. Ai thotë:

“Në të kaluarën, shkalla e përdorimit të këtij stacioni nuk ishte aq e lartë, dhe ai nuk ishte aq i ngarkuar siç është tani. Por, që kur ne filluam punë këtu në vitin 2014, stacioni ka qenë shumë i zënë. Vëllimi i biznesit po rritet vazhdimisht dhe linja ka funksionuar shumë mirë. Kina është një vend i madh dhe Spanja mund të importojë mallra nga Kina ose të eksportojë mallra në të. Kjo gjë u ka sjellë të gjithëve përfitime, duke u krijuar mundësi pune.”

Në dekadën e kaluar qarkulluan gjithsej mbi 65 mijë trena mallrash Kinë-Europë, të cilët mbërritën në 208 qytete të 25 vendeve evropiane. Numri i trenave u shtua nga 80 në vitin 2013 në 16 mijë në vitit 2022.

Ambasadori i Shqipërisë në Kinë Selim Belortaja vuri në dukje:

“Megjithëse Shqipëria nuk ka lidhje me sistemin hekurudhor ndërkombëtar, ne mund të përfitojmë në shumë mënyra prej linjave hekurudhore nga Kina në Budapest, Hamburg, Duisburg ose Romë të Italisë, duke i transportuar pastaj mallrat në vendin tonë nëpërmjet transportit rrugor.”

Ditët e fundit, Këshilli për Promovimin e Tregtisë Ndërkombëtare i Kinës publikoi “Raportin për mjedisin e biznesit të BE-së”, ku vihet në dukje se në vitin 2022, vëllimi i përgjithshëm i tregtisë së mallrave Kinë-Europë arriti në 847.3 miliardë dollarë, duke u shtuar 2.4 % në krahasim me vitin 2021. Kina dhe BE-ja janë partneret e dyta më të mëdha tregtare të njëra-tjetrës. Investimet e sipërmarrjeve kineze në BE arritën në 7 miliardë dollarë dhe vëllimi i përgjithshëm i investimeve kineze në BE ishte 102.9 miliardë dollarë.

Zv.drejtorja e Institutit Studimor të Këshillit për Promovimin e Tregtisë Ndërkombëtare të Kinës Zhao Ping u shpreh:

“Sipërmarrjet kineze në Europë mendojnë se tregu i BE-së është ende tërheqës, por që nga viti 2022, mjedisi i biznesit në BE ka bërë prapavajtje graduale,  duke u sjellë sipërmarrjeve me investime të huaja sfida.”

Sipas një sondazhi, 33.04 % e sipërmarrjeve janë të mendimit se mjedisi i biznesit i BE-së është përkeqësuar, duke u rritur 5.86 pikë përqindjeje në krahasim me vitin e kaluar. 61.4 % e sipërmarrjeve mendojnë se në BE ekziston prirja e politizimit të problemeve ekonomike.

Lidhur me këtë, zv.drejtorja e Institutit Studimor të Këshillit për Promovimin e Tregtisë Ndërkombëtare të Kinës Zhao Ping vuri në dukje:

“Sipas përllogaritjeve të bëra në ‘Raportin e shqyrtimit të investimeve të huaja’ të publikuar në shtator të vitit 2022 nga Komisioni Evropian, përqindja e mosmiratimit të projekteve me investime kineze të shqyrtuara arriti në 14.95%, një shifër shumë më e lartë se e vendeve të BE-së dhe e vendeve të tjera perëndimore, duke e kaluar nivelin mesatar 10.37 %.”

Në fund të vitit 2020, Kina dhe BE-ja arritën Marrëvëshjen e Gjithanshme të Investimeve, por, për arsye politike, BE-ja e ndërpreu procedurën e miratimit të këtij traktati, gjë që ishte në dëm të të dy palëve.

Ambasadori i Misionit të Kinës në BE Fu Cong shprehet:

“Kjo është një marrëveshje me përfitime të përbashkëta. Nëse ratifikohet dhe zbatohet, ajo do të shtojë shumë përfitimet ekonomike për të gjitha palët. Tani, për shkak të sanksioneve, kjo çështje ka mbetur pezull në Parlamentin Europian. Zgjidhja e problemit duhet të vijë nga dy palët, nuk duhet të kërkohen lëshime vetëm nga njëra palë.”Themeluesja dhe drejtorja e Institutit “Schiller” Helga Zepp LaRouche thotë:

“Tani Europa po përballon presionin e shkëputjes nga Kina. Por kjo është krejtësisht e pamundur. Nëse pas ShBA-së, Europa, veçanërisht Gjermania, zbatojnë 10 raunde sanksionesh mbi Rusinë, do të prishen rrënjësisht marrëdhëniet mes Europës e Rusisë. Nëse shkëputet Europa nga Kina, kjo do të thotë çindustrializim i Europës.”

Ambasadori i Misionit të Kinës në BE Fu Cong vuri në dukje:

“Themelet ndërmjet Kinës e BE-së janë shumë të mira. Ne vetëm duhet të përdorim siç duhet bazën e gjerë të vullnetit të mirë ndaj njëri-tjetrit dhe mirëkuptimin e njëri-tjetrit. Kjo është fusha ku dua ta përqendroj punën time. Ne nuk e konsiderojmë Europën si rivale, pa folur pastaj për kundërshtare. Ne shpresojmë gjithashtu se BE-ja do ta shikojë rritjen e Kinës si një mundësi dhe jo sfidë.”