Më 2 prill, një buqetë prej 41 lulesh të bardha u shfaq në sheshet qendrore të qyteteve anembanë Argjentinës. Sot është përvjetori i Luftës së Malvineve (të njohura edhe si "Falkland”). Numri 41 përfaqëson 41 vjetët që kanë kaluar që nga kjo luftë. Në mbarë Argjentinën, ata që u sakrifikuan në Luftën e Malvineve përkujtohen në mënyra të ndryshme, si kurorat me lule, ekspozitat, paradat, përshpirtjet e koncertet.
Foto:CMG
Lufta e Malvineve, që zgjati 74 ditë, ishte lufta më e madhe në Amerikën e Jugut që pas Luftës së Dytë Botërore. Argjentina dhe Britania u ndeshën lidhur me sovranitetin mbi Malvinet dhe Britania fitoi. Por argjentinasit nuk hoqën dorëkurrë nga pretendimi i tyre për sovranitetin mbi këta ishuj. Në Ditën e Përkujtimit, presidenti argjentinas Alberto Fernandez publikoi një video të shkurtër dhe theksoi se Malvinet janë pjesë e Argjentinës. "Le ta rikthejmë sovranitetin e Malvineve në mënyrë paqësore. Argjentina ka shprehur përsëri kërkesën e saj të ligjshme për një zgjidhje të negociuar për çështjen e Malvineve në përputhje me rezolutat përkatëse të Kombeve të Bashkuara. Politikanët britanikë nuk mund të vazhdojnë ta bëjnë veshin të shurdhër për këtë”.
Lidhur me çështjen e ishujve Malvine, konteksti historik është i qartë: në vitin 1816, kur Argjentina fitoi pavarësinë nga Spanja, deklaroi se trashëgonte sovranitetin e Spanjës mbi ishujt bregdetarë të Argjentinës, duke përfshirë Malvinet. Megjithatë, në vitin 1833, Britania dërgoi anije lufte për të pushtuar me forcë këta ishuj dhe për të vendosur sundimin kolonial mbi ta.
Foto:CMG
Mund të shihet se çështja e ishujve Malvine është në thelb një trashëgimi e historisë koloniale. Pas Luftës së Dytë Botërore, lëvizja e çkolonizimit u forcua. Në vitin 1965, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi rezolutën 2065, e cila përfshinte çështjen e ishujve Malvine në kategorinë e "çkolonizimit", duke u kërkuar Britanisë e Argjentinës ta zgjidhnin mosmarrëveshjen nëpërmjet negociatave. Më 2016, Komisioni i Kombeve të Bashkuara për Kufijtë e Shelfit Kontinental vendosi që Malvinet gjendeshin brenda ujërave territoriale argjentinase. Komiteti i posaçëm i Kombeve të Bashkuara për çkolonizimin i ka kërkuar gjithashtu në mënyrë të përsëritur Londrës të negociojë me Argjentinën. Megjithatë, pala britanike nuk e ka pranuar një gjë të tillë. Gjatë samitit të G20-s të këtij viti, ministri i Jashtëm argjentinas i bëri një kërkesë tjetër palës britanike për të rinisur negociatat lidhur me sovranitetin mbi Malvinet, por kjo u kundërshtua përsëri.
Foto:VCG
Pse britanikët nuk duan të lënë Malvinet? Ka shumë arsye për këtë. Së pari, megjithëse Malvinet janë shumë larg nga Mbretëria e Bashkuar, ata gjenden në rrugët e rëndësishme detare të Paqësorit Jugor e të Atlantikut Jugor dhe janë të njohur si "porta për në Atlantikun Jugor", duke u gjendur në një pozitë shumë të rëndësishme strategjike. Malvinet janë një port i rëndësishëm i ujërave të thella për ushtrinë britanike në Atlantikun Jugor. Në vitin 2021, qeveria britanike investoi 85 milionë dollarë të tjerë për të ndërtuar një port të ri këtu. Aktualisht, ka rreth 3 000 banorë në të gjithë ishujt, dhe rreth 1 500 ushtarë britanike të vendosur aty, duke e bërë atë një nga rajonet më të militarizuara në botë. Duke u mbështetur në bazën ushtarake të Malvineve, Mbretëria e Bashkuar kryen rregullisht sesione stërvitjeje të trupave jashtë vendit dhe stërvitje të rregullta ushtarake. Disa analistë besojnë se Mbretëria e Bashkuar do që të sigurojë përdorimin e plotë të burimeve të Antarktikut.
Përveç kësaj, britanikët nuk duan të heqin dorë as nga burimet minerare të Malvineve. Këta ishuj janë të pasur në torfë, plumb, argjend dhe hekur. Po ashtu, në vitet ’70 të shekullit të kaluar, një sasi e madhe burimesh nafte dhe gazi u zbuluan pranë këtyre ishujve.