Cesari, Gjezi dhe Myshketa “Ambasadorë të Durrësit”
2023-04-04 15:00:38

Festa e pranverës në Durrës (Foto Euronews Albania)

Festa e pranverës në Durrës (Foto Euronews Albania)

Në fund të marsit në Durrës u nderuan me titullin “Ambasadorë të qytetit” tre artistë virtuozë, të cilët përfaqësojnë denjësisht vendlindjen e tyre në skenat ndërkombëtare.

Violinisti i mirënjohur shqiptar Olen Cesari, i cili ka shkëlqyer në skenat botërore, u premtoi të pranishmëve se verën e këtij viti do të organizojë një koncert madhështor në sheshin e qytetit të Durrësit. Këtë deklaratë ai e bëri ndërsa u nderua me çmimin “Ambasador i qytetit të Durrësit” së bashku me artistët Pandush Gjezi e Gëzim Myshketa.

“Në këtë teatër jam rritur, kam bërë koncertin e parë recital 7 vjeç, është një vend që mbart memorie pafund. Zanafilla ime nis nga Durrësi, kudo nëpër botë ku shkoj them se ‘jam çun Durrësi!’, tha ai.

Olen Cezari (Foto nga facebook)

Olen Cezari (Foto nga facebook)

Olen Cesari premtoi se shumë shpejt do rikthehet me një surprizë të bukur në Durrës.

“Kësaj radhe vij vetëm si i ftuar në aktivitet, por them se shumë shpejt do të jem në Durrës për të interpretuar. E kam pasur në plan prej dy vitesh për të bërë një koncert në madh në qendër të qytetit dhe besoj do e realizoj në verën e këtij viti. Kam shumë projekte që po lëvizin në paralel, kam albumin e ri, gjithashtu koncertin tim në Porto Palermo, pra do të kem një vit me plot angazhime,” u shpreh Olen Cesari.

Violinisti i njohur mori pjesë javën e kaluar në aktivitetin kulturor “Mikpritja Durrësake”, ku u nderua me titullin "Ambasador i qytetit të Durrësit" së bashku me baritonin Gëzim Myshketa dhe muzikantin Pandush Gjezi. Për shkak të angazhimeve të shumta, baritoni Gëzim Myshketa nuk ishte i pranishëm në këtë ceremoni, ndërsa e ëma tha se titulli është i mirëpritur.

“Jam shumë e kënaqur për nderimin që i bëhet tim biri që është jo vetëm artist, por dhe një djalë i dashur për prindërit”, u shpreh ajo.

Gezim Myshketa (Foto nga facebook)

Gezim Myshketa (Foto nga facebook)

Ndërsa baritoni Gëzim Myshketa ndodhej në Paris, shkroi në faqen e tij zyrtare në Facebook:

 “Ambasador i Qytetit të Durrësit”. Jashtëzakonisht i lumtur dhe i emocionuar që personi im nderohet sot me këtë titull që është tejet i veçantë sepse vjen nga qyteti im i lindjes dhe i zemrës, Durrësi. Faleminderit Shoqata “Durrësi Autokton” në personin e Abdulla Deliallisi dhe autoriteteve vendore për këtë vlerësim”, shkruan ai. 

Tashmë festa e pranverës është bërë një traditë e përvitshme, ku festohet në qytetin bregdetar nën titullin “Mikpritja durrsake”, një aktivitet që organizohet nga shoqata “Durrësi autokton”, Bashkia e qytetit dhe Qendrës Kulturore “Aleksandër Moisiu”. Pas nderimit të artistëve me titullin “Ambasadorë të qytetit të Durrësit” u dhuruan duartrokitje të ngrohta, ndërsa publiku ndoqi me mjaft interes dokumentarët e realizuar për secilin prej artistëve.

Sava Lena

Ceremonia e ndarjes se cmimeve (Foto Top Channel)

Ceremonia e ndarjes së cmimeve (Foto Top Channel)