Ministrja Krifca: Pjesëmarrja në “Vinitaly 2023”, moment historik për verërat shqiptare
2023-04-04 14:41:31

Ministrja e Bujqesise Frida Krifca (Foto Facebook ministrja Frida Krifca)

Ministrja e Bujqesise Frida Krifca (Foto Facebook ministrja Frida Krifca)

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca, e cilësoi një moment historik pjesëmarrjen e prodhuesve shqiptarë të verërave në “Vinitaly 2023” në Verona, Itali, shkruan “ATSH”.

Ministrja Krifca tha se në panair është prezantuar ekselenca shqiptare e varieteteve autoktone. Ajo theksoi se përfaqësimi i kësaj industrie në kuadër të Ballkanit të Hapur është një eksperiencë shumë e mirë me rezultate konkrete në zhvillimin e tregtisë.

“Ka një interes të madh të vizitorëve në stendën shqiptare”,- theksoi ministrja Krifca.

Një ligj i posaçëm ka mbështetur sektorin e prodhimit të verës në Shqipëri.

“Ne do të vazhdojmë ta mbështesim sektorin dhe përmes programit IPARD III pra një masë dedikuar mbështetjes së kantinave dhe vreshtave që do të ndihmojë ato në marketimin, etiketimin dhe rritjen standard të këtij produkti”,- tha ministrja Krifca. (Fatosi)