Shqipëria pret nga 3 - 5 prill Forumin Ndërkombëtar të Turizmit
2023-04-03 10:46:21

Foto nga Rtsh

Shqipëria do të mirëpresë në datat 3 deri me 5 prill Forumin Nderkombëtar të Turizmit, shkruan “RTSH”.

Ky aktivitet ndërkombëtar i organizuar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Turizmit do të mbledhë në Tiranë më shumë se 300 pjesëmarrës nga 40 vende të botës. 

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, e vlerësoi këtë organizim si angazhim të veçantë për t’u orientuar drejt turizmit të qëndrueshëm, të përgjegjshëm dhe që respekton mjedisin.

Gjatë tre ditëve të forumit, 70 folës të ndarë në 7 panele tematike do të diskutojnë tema të rëndësishme lidhur me turizmin e qëndrueshëm dhe trendet e së ardhmes së tij, si roli i qeverive, strategjitë e zhvillimit, marka, profesionet dhe profilet e reja të këtij sektori.

Ky forum do të jetë edhe një mundësi për të krijuar lidhje biznesi e partneriteti, për të shkëmbyer përvoja e për t’u njohur me ofertat e tregut të turizmit.

Për kryeministrin Edi Rama ky forum do të shërbejë për promovimin e Shqipërisë si destinacion i ri turistik i Mesdheut. (Fatosi)