Linjat ajrore kineze dhe holandeze rifillojnë fluturimet direkte për në Pekin
2023-03-28 10:14:45

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Linjat ajrore kineze dhe holandeze rifilluan fluturimet e tyre direkte nga Amsterdami në Pekin të dielën pas një ndërprerjeje trevjeçare për shkak të pandemisë Covid-19, njofton “Xinhua”.

Në një portë në aeroportin “Schiphol” për një fluturim të rezervuar plotësisht të “China Southern Airlines” për në Pekin, pasagjerëve iu dhuruan tulipan shumëngjyrësh për të shënuar rastin e paharrueshëm.

Wilco Sweijen, drejtor i partneriteteve të linjës ajrore në aeroportin “Schiphol”, tha për “Xinhua” se ata janë shumë të kënaqur, sepse tani kryeqyteti kinez është lidhur përsëri me Amsterdamin.

Mack Su, menaxheri europian i shitjeve të linjës ajrore kineze, deklaroi se linja Amsterdam-Pekin u ndërpre në mars 2020 për shkak të Covid-19 dhe rifillimi i saj shënoi rimëkëmbjen gjithëpërfshirëse dhe të përshpejtuar të linjës ajrore në tregun Kinë-Europë.

Linja e re Amsterdam-Pekin Daxing do të fillojë nga katër fluturime javore dhe do të rritet në përputhje me kërkesën e tregut, tha Su. Përveç linjës së Pekinit, “China Southern Airlines” kryen gjithashtu fluturime midis Amsterdamit dhe Guangzhou, një metropol në Kinën jugore, katër herë në javë.

Gjithashtu të dielën, një fluturim i linjës ajrore holandeze “KLM” u largua nga aeroporti “Schiphol” për në Aeroportin Ndërkombëtar të Kryeqytetit të Pekinit, duke shënuar rifillimin e rrugës së fluturimit të “KLM” për në Pekin të ndërprerë nga pandemia.

Sweijen tha se numri i fluturimeve midis Holandës dhe Kinës tani është rritur në 27 në javë nga vetëm gjashtë rreth një vit më parë për shkak të flukseve më të larta të pasagjerëve. (Fatosi)