Vladimir Putin: Rusia do të vendosë armë bërthamore në Bjellorusi
2023-03-27 11:04:04

Foto nga VCG

Rusia do të vendosë armë bërthamore taktike në Bjellorusinë fqinje, deklaroi presidenti Vladimir Putin, duke shënuar herën e parë që nga mesi i viteve 1990 që Moska zyrtare do të bazojë armë të tilla jashtë vendit, shkruan “CGTN”.

Putin deklaroi gjatë një interviste televizive se presidenti i Bjellorusisë Aleksandër Lukashenko e kishte ngritur prej kohësh çështjen e vendosjes së armëve taktike bërthamore në vendin e tij.

Sipas medias shtetërore ruse, Rusia nuk do të transferojë kontrollin e armëve bërthamore në Minsk.

Pas njoftimit erdhi dhe reagimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Një zyrtar i lartë i administratës amerikane vuri në dukje se Rusia dhe Bjellorusia kishin kohë që flisnin për transferimin e armëve bërthamore.

“Ne nuk kemi parë asnjë arsye për të rregulluar pozicionin tonë strategjik bërthamor dhe as ndonjë tregues që Rusia po përgatitet të përdorë një armë bërthamore. Ne mbetemi të përkushtuar ndaj mbrojtjes kolektive të aleancës së NATO-s”,- tha zyrtari.

Putin nuk specifikoi se kur do të transferoheshin armët në Bjellorusi, e cila kufizohet me tre anëtarë të NATO-s, Poloninë, Lituaninë dhe Letoninë. (Fatosi)