Foto nga VCG
Kina, që po njeh një mëkëmbje të fortë ekonomike, parashikohet të zërë rreth një të tretën e rritjes globale në vitin 2023, tha kreu i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) në një fjalim të mbajtur të dielën në Forumin e Zhvillimit të Kinës për vitin 2023.
Kristalina Georgieva, duke folur në ditën e dytë të forumit vjetor të mbajtur në Pekin, e quajti rimëkëmbjen e fortë ekonomike të Kinës si "filiza të gjelbër" në ekonominë botërore, që është e prekur nga pandemia, ndarjet gjeoekonomike dhe rreziqet e qëndrueshmërisë financiare.
Georgieva vuri në dukje se rimëkëmbja e Kinës i jep një shtysë të mirëpritur ekonomisë botërore, duke shtuar se, sipas analizës së FMN-së, një rritje prej 1 pikë përqindjeje në PBB-në e Kinës i rrit mesatarisht 0.3 pikë përqindjeje ekonomitë e tjera aziatike.
Në janar, FMN e shtoi parashikimin e rritjes për Kinën këtë vit në 5.2 për qind, nga parashikimi i tetorit prej 4.4 për qind.
"Një rritje e tillë është nxitur nga mëkëmbja e parashikuar e konsumit privat, ndërsa ekonomia është rihapur dhe veprimtaria është normalizuar," vuri në dukje Georgieva.
Ajo parashtroi gjithashtu disa sugjerime politike për rritjen ekonomike të Kinës në fjalimin e saj. Duke theksuar riekuilibrimin e ekonomisë të mbështetur më shumë në rritjen e nxitur nga konsumi sesa në investimet dhe rëndësinë e rritjes së gjelbër, Georgieva theksoi se kjo do ta ndihmojë Kinën të arrijë një rritje që është si me cilësi më të lartë, ashtu edhe më përfshirëse.
"Me një rimëkëmbje të tillë të fortë, Kina mund të krijojë tani një impuls pozitiv dhe, nëpërmjet politikave tërësore, të qëndrojë në rrugën e rritjes drejt konvergimit me ekonomitë e përparuara," tha ajo.