Kina do ta kundërshtojë me vendosmëri shitjen e detyruar të "TikTok"-ut
2023-03-24 18:52:42

Ministria kineze e Tregtisë/CGTN

Kina do ta kundërshtojë me vendosmëri shitjen e detyruar të "TikTok"-ut, u shpreh të enjten Ministria kineze e Tregtisë, duke shtuar se shitja ose heqja e "TikTok"-ut duhet të zbatohet në përputhje me ligjet kineze.

"Shitja e detyruar e 'TikTok'-ut do të dëmtojë seriozisht besimin e investitorëve nga të gjitha vendet e botës, duke përfshirë Kinën, për të investuar në ShBA. Nëse ky lajm është i vërtetë, Kina do ta kundërshtojë me vendosmëri," tha Shu Jueting, zëdhënëse e Ministrisë së Tregtisë të Kinës.

"Shitja ose shpronësimi i 'TikTok'-ut lidhet me eksportin e teknologjisë, i cili duhet t'u nënshtrohet procedurave të licensimit administrativ në përputhje me ligjet kineze, dhe qeveria kineze do të marrë një vendim sipas ligjit," shtoi ajo. 

Shu i bëri komentet pak përpara dëshmisë së kryezyrtarit ekzekutiv të "TikTok"-ut Shou Zi Chew përpara një komisioni të Kongresit të enjten në Uashington.

Aplikacioni mjaft popullor, i zotëruar nga gjiganti teknologjik "ByteDance" me qendër në Pekin, ka më shumë se 150 milionë përdorues në ShBA. Ideja për ta detyruar kompaninë t'i shitet një firme amerikane u shfaq së pari gjatë administratës së Trump-it.


VCG

Kohët e fundit, ShBA-ja ka përmendur përsëri shqetësimet e sigurisë kombëtare për t'i kërkuar "ByteDance"-it të shesë aksionet e veta në "TikTok", ose përndryshe ky i fundit do të ndalohet.

"Kina gjithmonë beson se siguria e të dhënave nuk duhet përdorur si një mjet për të abuzuar me konceptin e sigurisë kombëtare dhe fuqinë shtetërore për të penguar kompanitë e huaja," tha të enjten e kaluar zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Wang Wenbin.

"ShBA-ja ende nuk ka treguar me prova se 'TikTok'-u kërcënon sigurinë kombëtare të saj," vuri në dukje Wang, duke shtuar se pala amerikane duhet të ndalojë përhapjen e disinformacioneve rreth sigurisë së të dhënave, të ndërpresë shtypjen e kompanive dhe të sigurojë një mjedis të hapur, të drejtë, të barabartë e jo diskriminues për bizneset e huaja që investojnë dhe funksionojnë në ShBA.