UNICEF: Mbi 10 milionë pakistanezë nuk kanë ujë të pijshëm të sigurt pas përmbytjeve
2023-03-23 16:42:39

Foto nga VCG

Më shumë se 10 milionë njerëz, përfshirë fëmijë, ende nuk kanë akses në ujë të pijshëm të sigurt gjashtë muaj pas përmbytjeve katastrofike që goditën Pakistanin. Përfaqësuesit e Fondit të OKB-së për Fëmijët (UNICEF) thanë se çdo ditë, miliona vajza dhe djem në Pakistan po luftojnë një betejë të humbur kundër sëmundjeve të parandalueshme të shkaktuara nga uji dhe kequshqyerja, bën të ditur “Xinhua”.

UNICEF vë në dukje se një e treta e të gjitha vdekjeve të fëmijëve në nivel global i atribuohen kequshqyerjes, ndërsa gjysma e të gjitha rasteve të nënushqyerjes lidhen me infeksionet e shkaktuara nga mungesa e aksesit në ujë të sigurt, kanalizime dhe higjienë të mirë.

Më shumë se 1.5 milionë fëmijë në zonat e prekura nga përmbytjet në Pakistan janë të kequshqyer rëndë dhe UNICEF pret që numri të rritet. Kequshqyerja shoqërohet me gjysmën e të gjitha vdekjeve të fëmijëve në vend.

Përmbytjet e shkaktuara nga shirat e fortë të musonit vitin e kaluar zhytën një të tretën e tokës së Pakistanit. Vlerësohet se mbi 33 milionë njerëz u prekën në përgjithësi ose një në shtatë pakistanezë dhe 8 milionë njerëz u zhvendosën, duke shkaktuar probleme të mëdha humanitare.

Kombet e Bashkuara raportuan të martën se që nga 15 marsi, humanitarët kishin arritur më shumë se 7 milionë pakistanezë të prekur nga përmbytjet me ushqime dhe shërbime të tjera thelbësore. UNICEF-i dhe partnerët deri tani kanë siguruar ujë të pijshëm të sigurt për afro 1.2 milionë fëmijë dhe familje dhe kanë mbështetur rehabilitimin e objekteve të furnizimit me ujë nga të cilat kanë përfituar mbi 450.000 njerëz. (Elona)