Ministrja Kumbaro: Viti 2024 do t’i kushtohet pyjeve
2023-03-23 09:56:04

Foto nga ATSH

Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Pyjeve, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, deklaroi përmes një mesazhi në rrjetet sociale se me stafin e ministrisë ka nisur organizimi, me qëllim që viti 2024 t’i dedikohet pyjeve, me një kalendar aktivitetesh dhe një ftesë për të gjithë që t’i bashkohen eventeve.  

Shtimi i sipërfaqeve pyjore të mbrojtura nxit përdorimin e qëndrueshëm dhe kontribuon në ruajtjen e shërbimeve të ekosistemeve pyjore, shkruan “ATSH”.  

Shërbimet kryesore të një ekosistemi pyjor klasifikohen në shërbimet furnizuese, me ushqim, lëndë të para, ujë të freskët, resurse gjenetike etj, shërbimet rregullatore, si ciklimi i nutrientëve, rregullimi i klimës dhe cilësisë së ajrit, mbrojtja nga përmbytjet, mbrojtja nga erozioni, etj., si dhe në shërbimet kulturore, si rekreacion, vlera estetike, të trashëgimisë kulturore dhe shpirtërore.  

Qëllimi i kësaj dite është të rikujtohet rëndësia që kanë pyjet dhe detyra e gjithsecilit për sigurimin e ruajtjes së këtyre ekosistemeve natyrore që ka vendi për vazhdimësinë e tyre edhe për brezat e ardhshëm dhe një të ardhme të qëndrueshme.  Dita Botërore e Pyjeve, një ditë me rëndësi ndërkombëtare, është caktuar me rezolutë të posaçme nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së më 28 nëntor 2012, për të rritur ndërgjegjësimin e njerëzve për rëndësinë e të gjitha llojeve të pyjeve dhe pemëve jashtë pyjeve. (Elona)