Shqipëria, rritje me 75% të fluturimeve pas pandemisë
2023-03-23 16:24:32

Foto nga ATSH

Shqipëria renditet e para ndër vendet e Europës Juglindore për rimëkëmbjen e fluturimeve. Në këtë përfundim ka dalë “Mabrian”, ofruesi kryesor i inteligjencës për udhëtimet, duke u bazuar te shifrat e pas pandemisë së Covid-19, bën të ditur “ATSH”.

Sipas të dhënave të publikuara në “Mabrian”, Shqipëria shënoi një rritje prej 75% të fluturimeve ndërkombëtare krahasuar me vitin 2019.

Ndikimi më i madh sipas kompanisë erdhi nga rritja prej 278% të fluturimeve me Gjermaninë. Po ashtu, Greqia së bashku me Kroacinë dhe Qipron arritën të tejkalojnë nivelet e para pandemisë. “Mabrian” ekzaminoi kapacitetin ajror bazuar në oraret e fluturimeve nga 1 janari deri më 28 shkurt 2023 krahasuar me të njëjtën periudhë në 2019-n. Në raportin e publikuar krahasohen edhe çmimet e hoteleve bazuar në çmimin mesatar.

Sipas raportit, tarifat e hoteleve po rriten në pothuajse të gjitha destinacionet për të gjitha kategoritë e hoteleve me Bullgarinë dhe Kroacinë që raportojnë rritjen më të lartë të çmimeve gjatë vitit 2022.

Nga ana tjetër, Shqipëria është i vetmi përjashtim, me çmime 4.1% nën nivelet e vitit 2022 për hotelet me 4 yje. Megjithatë, ajo shënoi një rritje të çmimeve me 6.3% për hotelet me 3 dhe 5 yje. (Elona)