“Improvizim”, Edi Rama çel ekspozitën në Athinë: Arti s’ka nevojë për përkthim
2023-03-22 15:09:13

“Improvizim” është quajtur ekspozita e pikturave dhe skulpturave mikse që kryeministri Edi Rama ka çelur me punimet e tij në “Zapion Megaro” në Athinë.

Në ekspozitë janë paraqitur 33 punime të krijuara prej vitit 2015 dhe 15 punime të tjera janë të vitit të fundit, ku bien në sy ngjyrat e gjalla, format abstrakte, punimet prej qeramike, pikturat murale, bën të ditur “RTSH”. Disa nga punimet janë krijuar mbi fleta dokumentesh pune.

Ekspozita është një version i zyrës së Edi Ramës në Kryeministri, ku muret janë veshur me vizatime, mbi të cilat qëndrojnë pikturat plot ngjyra dhe veprat e qeramikës të realizuara gjatë punës së tij të përditshme.

Të pranishëm në hapjen e ekspozitës në Athinë ishin edhe kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis dhe ministri i Jashtëm grek Nikos Dendias.

Duke përshëndetur punën artistike të Ramës, Mitsotakis tha se Rama ishte në Athinë si artist dhe jo si kryeministër. Teksa e cilësoi veten si “artisti më i mirë mes të gjithë kryeministrave”, Rama ftoi artdashësit të shijojnë veprat e krijuara prej tij, duke theksuar se arti s’ka nevojë për përkthim.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 31 mars, në “Zappeion Megaron” në Athinë. (Elona)