Pse shtojmë armiqësi, kur kemi nevojë për miq?
2023-03-16 17:41:48

Një grup parlamentarësh ballkanikë ishin për vizitë në Tajvan. Midis tyre pati edhe disa nga Kosova, kryesisht deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Vizita është organizuar nga Instituti Demokratik në SHBA. Dhe në pamje të parë duket se kemi të bëjmë me një veprim të legjitimuar, të bazuar në lidhjet e forta që ekzistojnë midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Nëse Kosova do të ishte shtet i njohur dhe pranuar në OKB, ndoshta kjo nuk do të kishte impakte negative. Por Abdullah Hoti dhe deputeti Selmanaj po e reklamojnë veten si “patriot” të mëdhenj me takimet prej presidentes e deri te seancat e konferencës, ku ata marrin pjesë.

Foto:VCG

Foto:VCG

Vetëvetiu shtrohet pyetja: Çfarë fiton Kosova nga kjo vizitë dhe nga ky shou mediatik i deputetëve që vizitojnë Tajvanin? A ka nevojë Kosova për njohjen e shtetit nga ana e Tajvanit apo ka nevojë për njohjen e saj nga ana e Republikës Popullore të Kinës?! Cilat janë interesat e Kosovës në Tajvan? Atëherë pse bën isssshhh ku s’ka pula e zoti Hoti?! A është Kosova në atë pozitë që duhet të konfliktohet me Pekinin?! A i vjen asaj ndonjë e mirë ky lloj konflikti? A vjen diçka pozitive nga thellimi i armiqësisë me Kinën?! Përgjigja e këtyre dilemave në formë pyetjeje është e njohur: - Kosova nuk merr asnjë lloj përfitimi nga kjo vizitë. Edhe miqësisë me SHBA-të nuk i shton ose pakëson asgjë me këtë sjellje diplomatike të pamenduar.

Kosovës në kushtet në të cilat është i takon të bëjë kujdes në marrëdhëniet me çdo shtet në botë. Ajo nuk e ka luksin të shtojë armiq e armiqësi ndaj saj. Nuk ka nevojë Kina për Kosovën! Përkundrazi, Kosova ka nevojë për Kinën. Dhe në vend që të bisedohej me Pekinin, së paku për të hapur ndonjë përfaqësi, qoftë dhe simbolike në kryeqytetet e të dy vendeve, shkohet në të kundërtën e kësaj. Pa asnjë bilgari hak shkon Hoti, Selmanaj e ndonjë tjetër deputet i Kosovës dhe acaron marrëdhëniet me një vend, i cili është me peshë globale në politikë e diplomaci. Madje pa fituar asgjë nga kjo sjellje idiote në Tajvan!

Protestat kundër vizitës së Nancy Pelosit në Tajvan(Foto:VCG)

Nuk i kërkoj as unë dhe askush tjetër Kosovës që të konfliktohet me Tajvanin e madje me asnjë vend tjetër në botë, thjesht se i duhet bërë qejfi Pekinit, apo për ndonjë arsye tjetër. Por së paku të rrish indiferent ndaj një çështjeje sensitive si kjo, është mençuri dhe maturi politike dhe diplomatike. Se kur do ta mësojnë këtë politikanët në Prishtinë, nuk e di. Por jam i sigurt se do t’u duhet një ditë t’i kërkojnë Kinës ndjesë për këtë veprim axhamijsh.

Nga ana tjetër, nuk e di se cili është mesazhi i deputetëve të Kosovës për këtë vizitë në Tajvan. Tajvani nuk është anëtar i OKB-së. Pse u dashka të vihet një lloj simetrie me statusin e këtij ishulli? Nuk ka kuptim për një vend si Kosova që të dërgojë deputetët e saj në një vend, i cili nuk njihet nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare. Ndërkohë që vetë Kosova dëshiron të bëhet pjesë e shteteve sovrane.

Për më shumë se 50 vite ishulli i Tajvanit nuk është anëtar i OKB-së. Por Kosova dëshiron të bëjë pjesë në këtë organizatë. Atëherë, çfarë do të mësojë nga Tajvani, kur ajo ka nevojën e mbështetjes ose së paku abstenimit të Republikës Popullore të Kinës për t’u pranuar në OKB?!

Foto:VCG

Stërvitje me zjarr luftarak të ushtrisë kineze rreth ishullit Tajvan pas vizitës së Nancy Pelosit, Gusht 2022(Foto:VCG)

Kësaj i thonë t’ia shtosh telashet vetes pa patur asnjë nevojë për këtë. Pa të diktuar askush për këtë. Sepse jam i bindur se edhe Instituti Demokratik Amerikan nuk i ka detyruar deputetët e Kosovës ta marrin këtë hap. Amerikanët nuk janë të interesuar që autoritetet e Kosovës t’i përkeqësojnë marrëdhëniet me shtetet që nuk e kanë njohur atë. Kemi rastin e Greqisë, me të cilën Kosova ka marrëdhënie shumë të ngushta. Modeli i sjelljes me Greqinë duhet aplikuar në sjelljen politike e diplomatike të Kosovës me të gjitha vendet e tjera, sidomos Republikën Popullore të Kinës, Vatikanin dhe vendet anëtare të BE-së, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën. Rasti i vizitës së deputetëve kosovarë në Tajvan shkon në të kundërtën e asaj çfarë ndodh në marrëdhëniet e Kosovës me Greqinë. Modeli është aty, por ky rast tenton t’i  thyejë modelet e mira.

Nuk e di nëse deputetët në fjalë kanë shkuar në Tajvan me lejen dhe dijeninë e institucioneve të vendit, pra parlamentit. Nëse po, atëherë unë këtë do ta quaja një autogol institucional, të paramenduar! Nuk duhet t’ia vështirësoni vetes rrugën e integrimit në organizatat ndërkombëtare. Përkundrazi, duhet ta lehtësoni sa më shumë këtë rrugë. Mos prodhoni artificialisht armiq, sepse i bëni dëm kauzës së Kosovës!