Në Pekin mbyllen “Dy Sesionet” dhe hapet rruga e re drejt modernizimit
2023-03-15 10:30:48

Mbledhja vjetore e më shumë se 2,900 deputetëve të Asamblesë Popullore Kombëtare (AKP), legjislatura më e lartë e Kinës, përfundoi në Pekin më 13 mars 2023. Në takimin përmbyllës të sesionit, presidenti kinez Xi Jinping u shpreh “Unë do të përmbush me besnikëri përgjegjësitë e mia të dhëna nga Kushtetuta, me nevojat e kombit si misionin tim dhe interesat e popullit si pikë referimi” - teksa u zotua se do të bëjë maksimumin dhe të tregohet i denjë për besimin e të gjithë deputetëve të PKK-së dhe njerëzit e të gjitha grupeve etnike në mbarë vendin.

Xinhua

Xinhua

Në fjalimin e tij Xi, i cili u zgjodh më 10 mars president kinez me votim unanim, tha se besimi i popullit është motivimi më i madh që e shtyn atë të marshojë para dhe është një përgjegjësi e madhe që ai mban mbi supe. “Nga kjo ditë e deri në mesin e shekullit të 21-të, detyra kryesore e të gjithë Partisë Komuniste të Kinës (PKK) dhe të gjithë popullit kinez do të jetë ta ndërtojnë Kinën në një vend të madh socialist, modern në të gjitha aspektet dhe të çojnë përpara ripërtëritjen e kombit kinez në të gjitha frontet”, tha Xi.

Deputetët e PKK-së miratuan me votim rezolutat për raportin e punës së qeverisë, për zbatimin e planit kombëtar të zhvillimit ekonomik dhe social, për zbatimin e buxhetit qendror dhe vendor për vitin 2023, etj.

Xinhua

Xinhua

Arritjet, praktika dhe pritshmëritë

Këto “Dy sesione” sollën shumë risi pasi ato vijnë menjëherë pas Kongresit të 20-të Kombëtar të PKK-së në tetor të vitit të kaluar, ku u shpalos agjenda, jo vetëm për pesë vitet e ardhshme siç bëjnë kongreset normale, por në të vërtetë për 25 vitet e ardhshme deri në 2049, që përkon me 100 vjetorin e Republikës Popullore të Kinës.

Këto ditë nga Pekini u mësua se cilat janë prioritetet e qeverisë kineze në këto kohë, cilat janë sfidat kryesore, dhe u pa se ku është theksi mbi problemet e mëdha. Rëndësia u vu mbi zhvillimin me cilësi të lartë, që përfshin një zhvillim novator, të koordinuar, të gjelbër dhe të hapur për të gjithë. Këto ishin disa nga fjalët kryesore të ngjarjes shumë të rëndësishme politike të vendit. Ekonomia e Kinës në tërësi është rritur me hapa të mëdhenj dhe filozofia e përqendruar te njerëzit, është synimi përfundimtar i vendit për të promovuar zhvillim me cilësi të lartë  që do të thotë t'i ofrojë mirëqenie dhe begati popullit të saj. Në ndërtimin e një vendi socialist modern në të gjitha aspektet, detyrat më sfiduese dhe më të vështira besohet se mbeten në zonat rurale, duke nënvizuar nevojën për përpjekje të mëtejshme për të çuar përpara rigjallërimin rural në të gjitha aspektet.

Ekonomia në plan të parë është një nga frazat më të përdorura në “Dy sesionet” por jo ajo e termave abstrakte, ajo lloj ekonomie në të cilën shteti ndërhyn për të përshtatur rrugën e zhvillimit social dhe ekonomik, në mënyrë që të përfitojnë të gjithë qytetarët e saj, më qëllim prosperitetin e përbashkët. Duke mbyllur me sukses fushatën e çrrënjosjes së varfërisë, tashmë Kina po nis një udhëtim tjetër, atë të synimit të mobilitetit social për 400 milionë njerëz që të kalojnë nga shtresa me të ardhura të ulëta në atë me të ardhura të mesme, për të  krijuar tregun më të madh të konsumit në botë të grupit me të ardhura mesatare.

Xinhua

Xinhua

Një tjetër nga linjat që spikati më shumë  është fokusi i jashtëzakonshëm në shkencë dhe teknologji, të cilat janë absolutisht të nevojshme për të sjellë dhe vazhduar modernizimin e Kinës. Qëndrimi zyrtar mbi shkencën dhe teknologjinë, jep direktiva specifike, për shembull që universitetet, institutet kërkimore dhe industritë të cilat sipas programit qeveritar duhet të punojnë së bashku. Duke i dhënë përparësi teknologjisë shkencore i jepen edhe Ministrisë së Shkencës dhe Teknologjisë kompetenca më të mëdha. Fusha tjetër e strukturës së re është në Menaxhimin e të Dhënave, si në aspektin e sigurisë së tyre për të ardhmen, por edhe për zhvillimin e tregtisë elektronike, që është gjithashtu kritik për zhvillimin e përgjithshëm të Kinës.

Riorganizim qeveritar

Planet e Kinës për riorganizimin e qeverisë qendrore janë veçanërisht të rëndësishme. Emrat e shtetarëve të rinj kinezë vijnë me CV dhe përvoja impresionuese.

Xinhua

Xinhua

Duke e nisur me Kryeministrin e ri të Kinës, z. Li Qiang. Ai ka qënë guvernator në provincën Zhejiang  për shumë vite, më pas Sekretar i Partisë së provincës Jiangsu  e më pas i Shangait. Nësë i marrim të treja këto provinca së bashku në rang ekonomik dhe me shifra popullsie shohim se provinca Jinagsu ka afro 80 milion banorë, Zhejiang 57 milionë banorë dhe Shangai 26 milionë banorë, mund të themi se përgjegjësia është e jashtëzakonshme. Shumë investitorë perëndimorë e dinë emrin tij dhe e njohin atë si njeriu që solli shumë kompani të  huaja në Kinë, përfshi edhe sjelljen e gjigandit Tesla. Por gjithashtu z. Li njihet mirë në rrethet e biznesit dhe sipërmarrjes në Kinë. Në karrierën e tij ai ka menaxhuar ekonomi provinciale kolosale si Jiangsu me afro 1.8 trilion dollarë, Shangai me 1.4 trilion dhe zhejiang me 1.1 trilion.  Pra, z. Li në karrierën e tij ka qënë në krye të jetës politike dhe ekonomike të mbi 163 milionë njerëzve dhe  ka menaxhuar ekonomi më të medha se Gjermania, Anglia, ose Franca, etj.

Zhao Leji, u emërua kreu Asamblesë Popullore Kombëtare dhe komitetit të tij të përhershëm, i cili merret me punën më aktuale legjislative. Zhao është i njohur në fushën e organeve ligjzbatuese në Kinë.

Wang Huning vjen nga një e kaluar akademike, pasi ka qenë profesor i politikës ndërkombëtare në Universitetin Fudan të Shangait dhe këshilltar i lartë i presidentëve kinezë. Ai ka shkruar shumë libra mbi çështje sociale e politike, dhe tashmë është i Kryetar Konferencës Konsultative Politike të Popullit Kinez.

Cai Qi, është udhëheqës i kryeqytetit që nga viti 2017 dhe mbikëqyri Lojërat Olimpike Dimërore të Pekinit 2022. Cai, i cili mban një doktoraturë në ekonomi, mban tashmë postin, Sekretari i Parë i PKK-së është një pozicion shumë i lartë dhe i rëndësishëm.

Ding Xuexiang, ka shërbyer si drejtor i Zyrës së Përgjithshme të partisë që nga viti 2017, veçanërisht i pranishëm në vizitat shtetërore dhe takimet me liderë të huaj.  Ai emërohet zëvendëskryeministër i parë për mbikëqyrjen e çështjeve administrative.

Li Xi, përpara emërimit të tij në komitetin e përhershëm, drejtoi provincën Guangdong, një nga rajonet më të pasura të Kinës dhe bazën e sektorit të saj të madh të prodhimit. Li është emëruar kreu i Komisionit Qendror për Inspektimin e Disiplinës.

Sa më sipër janë emra që në Kinë dhe në botë do të dëgjohen shpesh në vitet që vijnë, dhe punët shtetërore tashmë janë ravijëzuar, me drejtues dhe kabinete të gatshme për t’a çuar vendin në arritje të tjera.

Së fundmi, agjenda politike, ekonomike dhe sociale për 1.4 miliardë njerëz u vendos në Pekin këto ditë dhe sezoni politik më i rëndësishëm i vendit u mbyll me sukses. Planet u parashtruan, struktura u vendos dhe njerëzit në krye të dikastereve më të rëndësishme të shtetit u zgjodhën. Tashmë skica e rendit të punëve u bë, dhe fillon ajo puna e madhe kapilare e zbatimit të saj në nivel, province, qyteti, komuniteti, etj. Stabilitet, zhvillim dhe mirëqenie, këto ishin fokuset e pushtetit dhe direktivat për gjithë strukturën e qeverisjes kineze në këtë mars 2023.

Dr. Marsela Musabelliu