Kryeministri Rama: Do të hiqet taksimi për pagat deri në 50 mijë lekë
2023-03-11 17:06:27

 Taksimi i pagave (Foto Rtsh)

Taksimi i pagave (Foto Rtsh)

Në fund të muajit prill, mjekët specialistë do të shpërblehen sipas pagave të larta të rajonit. Ndërsa e konsideroi këtë një hap të rëndësishëm, kryeministri Rama deklaroi se Shqipëria është në barazim me Serbinë në pagë, shkruan “RTSH”.

“Kemi bërë një hap të rëndësishëm me rritjen e pagës për mjekët specialistë, që më në fund, duke filluar nga prilli do të shpërblehen sipas pagave të larta të rajonit. Jemi barazuar me Serbinë në pagë”,- tha Rama, teksa shtoi se qeveria po përgatit një ligj të ri për një tërësi profesionesh dhe detyrash në shërbimin publik që kanë të bëjnë me aftësi të veçanta.

“Duke filluar nga aftësi digjitale për forcimin e kushteve kibernetike, të ofrojmë paga që të jenë konkurruese në treg, ashtu sikundër dhe për të tjera profesione. Procesi i integrimit kërkon rritje të numrit të drafteve ligjore. Të rrisim pagat dhe të kemi më të mirët në shërbim të shtetit”, shtoi ai.

Sa i përket ligjit për tatimin mbi të ardhurat personale, që së shpejti kalon në Parlament, kreu i qeverisë shqiptare tha se do të hiqet plotësisht taksimi për pagat deri në 50 mijë lekë.

Të gjitha këto nisma të qeverisë, sipas Ramës, e angazhojnë kabinetit qeveritar që të shohë me pozitivitet të nesërmen. (Irma)