Presidenti i ShBA-së Joe Biden flet rreth buxhetit të tij të propozuar për vitin 2024 në Institutin e Mjeshtërive Përmbaruese, Filadelfia, ShBA, 9 mars 2023. / CFP
Presidenti amerikan Joe Biden deklaroi një propozim buxheti prej 6.9 trilionë dollarësh të enjten, që ka si objektiv uljen e deficitit të ShBA-së me gati 3 trilionë dollarë gjatë dekadës së ardhshme, duke vënë taksa më të larta ndaj korporatave të pasura e të mëdha.
Administrata do të zvogëlojë deficitin duke "i bërë korporatat e pasura dhe të mëdha të paguajnë pjesën e tyre të duhur dhe duke shkurtuar shpenzimet e kota për kompanitë e mëdha farmaceutike e të naftës dhe interesat e tjera të posaçme," u shpreh Shtëpia e Bardhë.
Buxheti propozon një taksë minimale për miliardarët e vendit, që shkon në 25 për qind mbi 0.01 për qind më të pasurit e vendit. Gjithashtu, në të përfshihen planet për të hequr shkurtimet e taksave të ish-presidentit Trump për amerikanët me të ardhura më të larta, duke rivendosur normën më të lartë të taksave prej 39.6 për qind për individët që fitojnë më shumë se 400 000 dollarë në vit dhe çiftet e martuara që fitojnë më shumë se 450 000 dollarë në vit.
Foto nga VCG
Sipas këtij planbuxheti, norma e taksave korporative do të rritet në 28 për qind, nga 21 për qind gjatë adminsitratës së ish-presidentit Donald Trump. Norma e taksave mbi fitimet jashtë vendit të shumëkombësheve amerikane do të rritet nga 10.5 për qind në 21 për qind.
Përveç rritjes së madhe të taksave, Shtëpia e Bardhë ka bërë thirrje gjithashtu për anulimin e miliarda dollarë subvencione për industrinë e naftës dhe gazit në propozimin e saj të buxhetit. Heqja e subvencioneve vlerësohet që do t’i kursejë qeverisë gati 31 miliardë $ gjatë 10 vjetëve.
Foto nga VCG
Megjithë përpjekjet e vazhdueshme të presidentit Biden për të pakësuar deficitin federal, përsëri është parashikuar një deficit më tepër se 1 trilion dollarë në vit gjatë dekadës së ardhshme në buxhetin e propozuar. Kjo ndodh teksa parashikohet një vit me rritje të ngadaltë për ekonominë e ShBA-së, me një shtim të madh të përqindjes së papunësisë të vendit, ndërsa inflacioni ulet më tej.
Propozimi i buxhetit të Bidenit ndeshet tashmë me kundërshtim të ashpër nga ligjvënësit republikanë. Udhëheqësit republikanë, të drejtuar nga kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA-së Kevin McCarthy, thanë në një deklaratë të përbashkët se "buxheti i presidentit Joe Biden është një propozim i pamatur, që përforcon të njëjtat politika shpenzimesh të së majtës ekstreme që kanë çuar në inflacionin rekord dhe krizën e tanishme të borxhit."