Pesë vende mesdhetare bëjnë thirrje për më shumë solidaritet të BE-së për emigracionin
2023-03-06 10:52:15

Foto nga VCG

Ministrat e Brendshëm të pesë vendeve mesdhetare të Bashkimit Europian bënë thirrje për më shumë solidaritet të BE-së për emigracionin dhe më shumë përpjekje për të parandaluar emigrimin e parregullt, njofton “Xinhua”.

Në përfundim të takimit të ashtuquajtur “Med 5” në nivel ministror të mbajtur në kryeqytetin e Maltës, Valeta, ministrat e Maltës, Greqisë, Italisë, Spanjës dhe Qipros nënshkruan një deklaratë të përbashkët.

Takimi u mbajt vetëm disa ditë pas mbytjes së një varke me emigrantë pranë Italisë. Të paktën 64 emigrantë vdiqën më 26 shkurt kur varka e tyre goditi shkëmbinjtë pranë bregut të rajonit jugor italian të Kalabrisë.

Pesë ministrat ranë dakord se duhet bërë më shumë punë në nivel europian për të trajtuar shkaqet rrënjësore të migrimit dhe për të parandaluar emigrimin e parregullt, sipas deklaratës së përbashkët të publikuar nga Ministria malteze për Punët e Brendshme, Sigurinë, Reformat dhe Barazinë.

Ata riafirmuan pozicionin e tyre mbi nevojën për të vendosur një ekuilibër midis përgjegjësive të shteteve anëtare të BE-së nga njëra anë dhe nevojës për solidaritet nga ana tjetër", thuhet në deklaratën e përbashkët.

Ata gjithashtu bënë thirrje për më shumë përpjekje për "krijimin e një mekanizmi solidariteti të përhershëm dhe të detyrueshëm që faktorizon nevojat reale të Shteteve Anëtare të vijës së parë dhe siguron që këto nevoja të përmbushen plotësisht përmes kontributeve të solidaritetit". (Fatosi)