Opereta “Karnavalet” pas 45 vitesh në skenën e TKOB
2023-03-03 09:41:02

Pas 45 vitesh u rikthye në skenë opereta “Karnavalet”, ndër veprat e çmuara kombëtare. Në kohën kur kjo operetë është luajtur ka patur një sukses të jashtëzakonshëm. Tashmë opereta “Karnavalet” vjen me regji nga artistja e mirënjohur shqiptare Inva Mula, me pjesëmarrjen e Orkestrës Simfonike dhe Korit të TKOB, e dirigjuar nga Elda Laro dhe Dritan Lumshi. Pas një pune intensive prej mëse 1 muaji erdhi në TKOB një lojë e bukur, me humor dhe dashuri, të cilën artistët e përcollën për publikun në  sallë. Shfaqja u interpretua nga dy kaste artistësh dhe me një produksion që e transformoi skenën e TKOB në kalldrëmet e vjetra të Korçës.

Posteri i operetës Karnavalet (Foto IMDb)

Posteri i operetës Karnavalet (Foto IMDb)

Opereta “Karnavalet” u shfaq për katër netë me radhë nga 25 deri më 28 shkurt, duke na kthyer edhe një herë pas në kohë në qytetin e Korçës. Kjo vepër e cilësuar si më të çmuarat e repertorit kombëtar, u rikthye në 95-vjetorin e lindjes së kompozitorit Avni Mula, i cili shkroi “Karnavalet” mbi komedinë me të njëjtin titull të Spiro Çomorës dhe libret të Luigj Gurakuqit.

Sopranoja Inva Mula, e bija e kompozitorit të njohur u shreh për median:  “Në një moment të caktuar jam ndalur dhe kam thënë “Nëse do të ishte babai im këtu në sallë do të ndalej e do më thonte “Vërtetë unë e shkruajta përpara 45 vjetësh për artistë që i kemi ende në memorie, por ai do ishte shumë krenar për artistët sot, sepse kanë entuziazmin, kanë rininë dhe dashurinë për muzikën dhe teatrin. Me këtë vepër që e vëmë në skenë pas 45 viteve, të mbetet  një vepër e bukur e repertorit kombëtar shqiptar për të identifikuar artin tonë dhe këtë teatër të bukur e të vetëm që kemi kombëtar. Emocioni personal është i madh, çdo temë e kësaj vepre zgjon kujtime, babi ka patur një zakon që sapo krijonte diçka na sillte mua motrën dhe mamin që ta dëgjonim dhe unë mendoja pse e donte babi gjykimin e një fëmije, gjithmonë e kam menduar, ndërsa tani mendoj se ka patur të drejtë, se vetëm gjykimi i fëmijës është ai i pastër e i sinqertë, që më zgjon kujtimet e fëmijërisë”.

-Opereta “Karnavalet” është një produksion i ri nga solistët, kori dhe Orkestra Simfonike e TKOB-së, si dhe Orkestra Simfonike e Forcave të Armatosura, e cila solli për artdashësit shqiptarë gjallërinë e Karnavaleve, linjën e bukur të dashurisë, “pazaret e krushqisë” dhe shëmbëllimin e familjeve borgjeze korçare. Ajo përfundon në një sallon mahnitës balloje, e dekoruar për të shpallur fejesën e Afrovitit.

Fragment nga filmi Karnavalet në vitet 80-të (Foto Arkivi i Filmit)

Fragment nga filmi Karnavalet në vitet 80-të (Foto Arkivi i Filmit)

“Karnavalet” është vepër e repertorit kombëtar, e cilësuar si një nga më të çmuarat e këtij lloji, që i ka rezistuar kohës. Ajo madje tingëllon e freskët jo vetëm për nga tematika, por edhe nga rrjedhshmëria e melodive aq të dashura dhe të interpretuara me mjeshtëri nga trupa dhe solistët e TKOB-së. Me Orkestrën Simfonike të TKOB-së, dirigjuar nga virtuozja, Elda Laro, me kostumografi të frymëzuar nga estetika e viteve ’30, kuruar nga Elva Bella dhe skenografi të Romeo Çanit, TKOB premtoi se, “Karnavalet” s’do t’i harroni kurrë!

Vepra “Karnavalet” vjen në vijim të aktivitetit artistik gjatë kësaj kohe në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, ku nuk kanë munguar dhe koncertet e ndryshme për publikun. Solistë në vepër janë Solen Alla, Shpresa Beka, Ivana Hoxha, Klodian Kaçani, Vikena Kamenica,Marina Kurti, Renisa Laçka, Armando Likaj, Nina Muho, Dorina Selimaj, Denis Skura, Ramona Tullumani, Artur Vera, Matias Xheli, Erlind Zeraliu, Kreshnik Zhabjaku. Dirigjent kori në vepër Dritan Lumshi, as.regjisore Ada Gurra.

Baritoni, Kreshnik Zhabjaku në rolin e Nikollaqit është shprehur:  “Kënaqësi që të luaj në Karnavalet e Korçës, me kompozim nga Avni Mula. Roli im, një ndër rolet kryesore, është një personifikim e një tregtari  të mirë të Korçës dhe fjala “zengjin” mund t’i bëhet Nikollaqit si karakter. Unë e kam parë këtë shfaqje për herë të parë kur kam qenë shumë i vogël dhe e mbaj mend mirë, më është skalitur në mendje dhe pas 45 vjetëve kjo vepër përsëri në skenë. Është e mrekullueshme jo vetëm që është pjesë e repertorit të muzikës shqiptare, por edhe për faktin që pas 45 vjetëve vjen kjo vepër, që duhej të ishte vënë më shpesh. Është një vepër me humor serioz dhe mendoj se është si për të mëdhenj por edhe për të vegjël, për t’u argëtuar me dialogjet që janë bërë për këtë operetë. Babai im Ismail Zhabjaku, e ka bërë filmin “Karnavalet e Korçës” bashkë me profesor Aviun, prandaj për mua ka një domethënie shumë më të madhe se profesionale, është personale dhe bashkë me Invën që e njoh shumë mirë, kemi kënduar bashkë. Eshtë një nder dhe kënaqësi për mua që të jem pjesë e repertorit të TKOB, por veçanërisht të kësaj vepre të mrekullueshme të profesor Avniut” ka përfundoi ai.

Kompozitori Avni Mula (Foto Shqiptarja.com)

Kompozitori Avni Mula (Foto Shqiptarja.com)

Kompozitori i operetës “Karnavalet” Avni Mula u lind në Gjakovë në vitin 1928. Studimet e larta muzikore i kreu në Konservatorin “Çajkovski” të Moskës (1952-1957), ku u diplomua si këngëtar lirik. Karrierën artistike e nisi menjëherë pas kthimit nga Moska si solist në Teatrin e Operës dhe Baletit, duke realizuar role kryesore të repertorit operistik të kohës, përmes së cilave u dallua për nivelin e lartë të zgjidhjeve muzikore skenike. Avni Mula veprimtarinë krijuese e nisi në gjysmën e dytë të viteve ’60, fillimisht në fushën e këngës e të romancës dhe më pas si autor i veprave të mëdha vokale-koncertale, kantata, poema vokale dhe skenike, ku veçohen opereta “Karnavalet e Korçës” dhe opera “Borana”. Firmën e tij mbajnë edhe shumë këngë të muzikës së lehtë, mes të cilave dhe kënga aq e dashur për publikun shqiptar, “Valsi i lumturisë”.

Sava Lena