Vera Zaho: Mësuesia, mision dhe sfidë
2023-03-03 09:34:27

Mesuese Vera Zaho ( burimi foto personale)

Mesuese Vera Zaho ( burimi foto personale)

Gjuha pasqyron një kombësi, ajo është pasqyra më e qartë e një kombësie dhe e kulturës së saj. Shkalla e pasurisë dhe e pastërtisë së gjuhës është një tregues i nivelit të kësaj kulture.  Të flasësh për gjuhën amtare, është si të flasësh për shpirtin tënd. Ajo është hyjnore, është rrahje zemre, është e gjithë qenia jote. Jo më kot gjuha amtare është quajtur gjuha e zemrës.

Gjuha është aq e rëndësishme për zhvillimin e fëmijëve sa që nga viti 2000 çdo 21 shkurt festohet Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Nënë. Siç është transmetuar nga UNESCO, mësimi i gjuhës amtare është themelor për zhvillimin korrekt të gjuhës, si dhe për të zhvilluar aftësi të tilla si leximi ose shkrimi.
Vera Zaho ka vite në arsim dhe e cilëson gjuhën shqipe si një pasuri të madhe tek e cila duhet të kthejmë sytë të gjithë.

Mësuesi është imazhi i parë tek i cili ne përpiqemi të marrim tiparet më të mira. Këto tipare i përcjell edhe mësuese Vera Zaho, e cila është mësuese e gjuhës shqipe ne qytetin historik dhe të bukur të Vlorës. Ajo ndan detaje nga jeta e saj profesionale si edhe flet me pasion për zgjidhjen e problemeve me gjuhën, në një intervistë për Radio Ejani.

Mesuese Vera Zaho ( burimi foto personale)

Mesuese Vera Zaho ( burimi foto personale)

CMG: Sa i rëndësishëm është profesioni i mësuesit për ju?

Vera Zaho: I jam përkushtuar këtij profesioni dhe kënaqësia shumëfishohet edhe më shumë për këtë intervistë. Duke patur parasysh që kam përvojë goxha të gjatë kohore, afro 3 dekada në mësimdhënie dhe në profilin e gjuhës shqipe. Kam një bagazh të madh kujtimesh me të cilat jetoj çdo ditë, të qenit mësuese është ndër të tjera mission, i cili duhet të kryhet më së miri.

CMG: E kujtoni me nostalgji nisjen e këtij profesioni?

Vera Zaho: Absolutisht po. Unë e kam dashur këtë profesion dhe çdo gjë që bëj në lidhje me profesionin më mbetet kujtim dhe përherë e kujtoj me nostalgji. Përpiqem që çdo gjë që bëj në profesionin tim të shërbejë për të ardhmen dhe të ndihmojë çdo të ri apo çdo të re. Nisja ka qenë sfiduese, por më ka dhënë përherë frymëzim për të bërë gjëra edhe më të bukura. Të jesh mësues është sfidë me veten por edhe me kohën, duhet të nxitosh për t’i mësuar më të mirën nxënësit.

CMG: Si i shihni ju brezat e rinj sot, sa të gatshëm janë ata për t’i dhënë rëndësi gjuhës shqipe?

Vera Zaho: Ne si mësues tregojmë zbehjen e brezave ndaj gjuhës shqipe, prandaj janë evidentuar për një studim, të cilin unë e kam kryer për kënaqësi personale. Më pëlqen t’i përmbahem studimeve të ndryshme. Një ndër këto problematika është kur lënda e gjuhës shqipe dhe leximi letrar, shkrihen në një tekst të vetëm.

Mësuesit e gjuhës shqipe e njohin më së miri problematikën e orëve të reduktuara të gjuhës shqipe. Kjo gjë sjell tek nxënësit mangësi tek kultura gjuhësore. Marrim parasysh orët e qortimeve ku nxënësi vetëkorrigjohej dhe përforconte njohuritë e kulturës gjuhësore. Ndërsa sot jemi të ndërgjegjshëm se këto problematika i hasim.

Mesuese Vera Zaho ( burimi foto personale)

Mesuese Vera Zaho ( burimi foto personale)

CMG: Ju flisni me shumë dashuri dhe pasion për gjuhën amtare, e keni dëshirë apo detyrim moral?

Vera Zaho: E ndiej detyrim që të përçoj tek gjeneratat e ardhshme dashurinë për gjuhën dhe për vendin. Prindërit nuk duhet të orientojnë fëmijët vetëm te gjuha e huaj, pa e ditur që gramatika e shqipes i jep nje ndihmesë në përvetësimin e gjuhëve të huaja. Është detyrim i prindërve  që rrisin fëmijët në emigracion  t’i mësojnë atyre vlerat dhe kulturën tonë, historikun e gjuhës sonë. "Të shkruash gjuhën shqipe nuk është punë e rëndë, por as e lehtë"- thoshte Asdreni. Prandaj, për ta shkruar mirë dhe bukur duhet të punojmë në mënyrë sistematike.

CMG: Cilët janë njerëzit që punojnë për gjuhën shqipe dhe vlerat e saj?
Vera Zaho: Gjej rastin të përmend mirënjohjen për albanologët, që kontribuojnë në mënyrë të vazhdueshme për ta çuar përpara gjuhën tonë shqipe.  Të gjithë ne nga pak po bëjmë çfarë të jetë e mundur për të siguruar breza të shëndetshëm dhe të kulturuar. Rëndësinë e gjuhës shqipe e njohin të gjithë dhe janë koshientë se sa shumë vlera ka ajo, ndaj na duhet pak përpjekje për të qenë sistematikë dhe mos të tregojmë indiferencë ndaj vlerave, pasi janë ato që na rrisin.

Mesuese Vera Zaho ( burimi foto personale)

Mesuese Vera Zaho ( burimi foto personale)

CMG: A keni ju një mesazh për lexuesit?

Vera Zaho: Dua ta mbyll këtë intervistë  me vargjet e Fishtës.

"Mallkue nja bir Shqyptari,

qi këtë gjuhë të Perëndis',

trashigim,që na la i pari,

trashigim s'ia len ai fmis;

edhe atij iu thaftë, po, goja,

që për buzë këtë gjuhë hyjnore;

qi n'gjuhë t'huej, kur s'asht nevoja,

flet e t'veten e len mbas dore".

Intervistoi: Megi Latifi