Kina: Sivjet do të shtohen masat për të tërhequr investimet e huaja
2023-03-03 13:10:20

Foto nga VCG

Zyra e Shtypit e Këshillit të Shtetit të Kinës organizoi të enjten një konferencë shtypi, ku ministri i Tregtisë Wang Wentao u shpreh se sivjet Kina do të marrë më shumë masa për të tërhequr investimet e huaja dhe do të shpejtojë hapat për të marrë pjesë në Marrëveshjen e Partneritetit të Ekonomisë Digjitale.

Sipas të dhënave, në vitin 2022 shfrytëzimi real i investimeve të huaja në Kinë arriti në 1.2 trilion juanë, duke u rritur 6.3 % në krahasim me vitin 2021. Në janar të këtij viti, investimet e huaja vazhduan të rriten. Në të njëjtën kohë, shumë drejtues të kompanive të huaja kanë shqyrtuar mundësinë për të vizituar Kinën.

Këtë vit, Ministria e Tregtisë e Kinës do të zhvillojë për herë të parë serinë e aktiviteteve "Viti i investimeve në Kinë". Në të njëjtën kohë, Kina mbështet vendet dhe ndërmarrjet e ndryshme për të kryer aktivitete promovuese në Evropë, Amerikë dhe Azi.

Wang Wentao tha se Ministria e Tregtisë do të studiojë dhe promovojë gjithashtu zvogëlimin e arsyeshëm të listës negative për hyrjen e investimeve të huaja dhe do të anulojë ose lehtësojë më tej kufizimet për hyrjen e investimeve të huaja.

Sivjet është 10-vjetori i ndërtimit të përbashkët të "Një brez, një rrugë". Sipas ndihmësministrit kinez të Tregtisë Chen Chunjiang, nga viti 2013 deri më 2022, vëllimi i tregtisë së mallrave ndërmjet Kinës dhe vendeve përgjatë "Një brez, një rrugë" është dyfishuar, duke shkuar nga 1.04 trilion në 2.07 trilionë dollarë, me një mesatare vjetore rritjeje 8 %. Deri në fund të vitit të kaluar, ndërmarrjet kineze kishin investuar gjithsej 57.13 miliardë dollarë në zonat e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar në vendet përgjatë "Një brez, një rrugë", duke krijuar 421 000 vende pune lokale. Në të ardhmen, Kina do të promovojë gjithashtu nënshkrimin e marrëveshjeve të tregtisë së lirë me më shumë vende që janë të gatshme për të marrë pjesë në këtë nismë dhe do të përshpejtojë ndërtimin e një rrjeti zonash të tregtisë së lirë që mbulon "Një brez, një rrugë".