Teknologjitë e përparuara kineze spikatin në Kongresin Botëror të Teknologjisë së Lëvizshme
2023-03-03 21:23:22

Pavijoni i "Huawei"-t në Kongresin Botëror të Teknologjisë së Lëvizshme 2023 (MWC) në Barcelonë të Spanjës, 27 shkurt 2023. / "Xinhua"

Ndërsa Kongresi Botëror i Teknologjisë së Lëvizshme (MWC) për vitin 2023 në Barcelonë ka pasur një rikthim të fuqishëm të pjesëmarrësve aziatikë, kompanitë kineze të komunikacionit dhe teknologjisë kanë spikatur në këtë veprimtari me arritjet e tyre më të fundit dhe teknologjitë e fjalës së fundit në komunikimin e lëvizshëm.

Ndërmjet rreth 80 000 pjesëmarrësve e 2 000 ekspozuesve nga më tepër se 200 vende dhe rajone të regjistruar në veprimtari, përkatësisht 5 000 dhe 150 janë nga Kina, duke sjellë prodhimet dhe shërbimet inovative të kompanive kineze.

Marka kineze "OPPO" paraqiti një përzgjedhje të pajisjeve kryesore, si dhe një numër risish bazuar në nismat e saj inteligjente lidhur me argëtimin, produktivitetin, shëndetësinë dhe të mësuarit.

"OPPO Find N2 Flip" i ri paraqitet në Kongresin Botëror të Teknologjisë së Lëvizshme 2023 (MWC) në Barcelonë të Spanjës, 27 shkurt 2023. (Foto:VCG)

Një tjetër markë kineze e smartfonave, "Honor", zbuloi produktin e vet të ri, serinë "Honor Magic5", e cila është e pajisur me një sistem kamere të trefishtë, të quajtur "Syri i Shqiponjës", që mund të ndihmojë automatikisht përdoruesit të kapin momentet më emocionuese, të tilla si kërcimet apo skenat e lëvizjes në lartësi, edhe pa shtypur butonin.

Një veprimtari promovimi produkti e prodhuesit kinez të smartfonave "Honor" në edicionin e vitit 2023 të MWC-së, 27 shkurt 2023. / "Xinhua"

Në fushën e 5G-së, kompanitë kineze po vazhdojnë gjithashtu përpjekjet për të ofruar zgjidhje për të përmirësuar ndërlidhjen globale.

Në ditën e parë të veprimtarisë katërditore, "China Telecom", "China Unicom", "Datang Mobile", "Ericsson", "Huawei" e ZTE publikuan së bashku "Udhëzuesin e ndarjes dhe bashkëndërtimit të rrjetit 5G", një udhërrëfyes që ndan teknologjitë kryesore dhe menaxhimin operacional të Kinës në ndërtimin e rrjetit 5G me operatorët botërorë.

Vizitorë duke parë një "qen kibernetik" nga "Xiaomi" në Kongresin Botëror të Teknologjisë së Lëvizshme 2023 (MWC) në Barcelonë të Spanjës, 27 shkurt 2023. / "Xinhua"

Së bashku me risitë teknologjike, kompanitë kineze shpërfaqën gjithashtu edhe fokusin e tyre në zhvillimin e gjelbër.

Në Evropë, "Huawei" ka bashkëpunuar tashmë me disa operatorë për të zbatuar zgjidhjen e fundit të arkitekturës treshtresore të gjelbër dhe ka punuar së bashku me partnerët e industrisë për të përfshirë treguesit që masin intensitetin e lëshimeve të karbonit në rrjet në standardet zyrtare ndërkombëtare të Bashkimit Ndërkombëtar të Telekomunikacionit.(Artan)