Destatis: Kina, furnizuesi kryesor i Gjermanisë për sistemet fotovoltaike
2023-03-03 11:44:13

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Kina ishte furnizuesi numër një i Gjermanisë i sistemeve fotovoltaike (PV), duke siguruar rreth 87 për qind të importeve të vendit në vitin 2022, njoftoi Zyra Federale e Statistikave (Destatis).

Sistemet fotovoltaike të importuara nga Kina kapnin vlerën e rreth 3.1 miliardë euro (3.3 miliardë dollarë amerikanë), sipas Destatis. Kina u pasua nga Holanda me 143 milionë euro, shkruan “Xinhua”.

“Që nga rënia e industrisë diellore gjermane, modulet fotovoltaike tani janë ndërtuar kryesisht në Kinë”,- bëhet e ditur në një studim të publikuar nga kompania e shërbimeve të auditimit dhe konsulencës “PwC Gjermani” në fund të vitit të kaluar.

“Kapaciteti i përgjithshëm i prodhimit për modulet diellore në Bashkimin Europian është dukshëm më i ulët se ai i furnizuesve individualë kinezë”,- tha në një deklaratë Heiko Stohlmeyer, drejtor i Energjive të Rinovueshme në “PwC Gjermani”.

Gjermania synon të jetë neutrale ndaj klimës deri në vitin 2045. Përveç kësaj, pjesa e energjive të rinovueshme në konsumin bruto të energjisë elektrike pritet të rritet nga 44 për qind në vitin 2022 në të paktën 80 për qind deri në vitin 2030.

Tranzicioni i energjisë në ekonominë më të madhe të Europës nuk po përparon mjaftueshëm shpejt, zbuloi një studim i publikuar nga Shoqata Gjermane e Industrive të Energjisë dhe Ujit (BDEW) dhe firma konsulente “Ernst and Young” (EY).

“Edhe pse fotovoltaikët kishin shkallën më të lartë të zgjerimit nga të gjitha teknologjitë në vitin 2021, është ende e diskutueshme nëse do të arrihen objektivat për vitin 2030”, thuhet në studim. (Irma)