Mbi 40.000 refugjatë sirianë u kthyen nga Turqia pas tërmetit
2023-03-02 11:50:58

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Gati 42.000 refugjatë sirianë në Turqi janë kthyer vullnetarisht në atdheun e tyre pas tërmeteve masive që shkaktuan dëme të jashtëzakonshme në rajon, deklaroi ministri turk i Mbrojtjes, Hulusi Akar.

Sirianët, të cilët u prekën nga tërmetet vdekjeprurëse të 6 shkurtit dhe humbën shtëpinë, fëmijët dhe të afërmit në Turqinë jugore, janë kthyer në vendin e tyre, u tha ministri gazetarëve në një konferencë shtypi në provincën jugore Hatay, citon “Xinhua”.

Turqia priti rreth 3.5 milionë refugjatë sirianë që u larguan nga vendi i tyre pas një lufte civile që shpërtheu në vitin 2011. Gati gjysma e refugjatëve janë strehuar në Turqinë jugore, e cila u godit rëndë nga tërmetet shkatërruese.

Qeveria turke vitin e kaluar i ndaloi refugjatët sirianë me leje të përkohshme mbrojtjeje të bënin udhëtime vajtje-ardhje midis dy vendeve fqinje për të inkurajuar një kthim të plotë në atdheun e tyre.

Qeveria ka hequr kufizimet e lëvizjes për refugjatët pas tërmeteve, duke i lejuar ata të shkojnë dhe të qëndrojnë deri në gjashtë muaj në Siri përpara se të kthehen në Turqi.

Më shumë se 46.000 persona kanë vdekur në Turqi dhe Siri që nga tërmetet me magnitudë 7.7 dhe 7.6 ballë që goditën provincën jugore turke të Kahramanmaras më 6 shkurt. (Elona)