Turizmi shqiptar nis vitin me rritje
2023-02-27 15:08:51

 

 

Foto nga RTSH

Turizmi shqiptar nis vitin me rritje. Shifrat e ofruara nga Instituti i Statistikave flasin për një nisje të mbarë të turizmit në fillim të vitit 2023. 

Numri i shtetasve të huaj që kanë vizituar Shqipërinë gjatë muajit janar 2023 është rritur me 94.2%, krahasuar me janarin 2022.

Rajoni me numrin më të lartë të hyrjeve të shtetasve të huaj në Shqipëri është Europa me 366.257 shtetas, pasuar nga Amerika dhe Azia Lindore /Paqësori, përkatësisht me 7051 dhe 1308 shtetas, njofton “RTSH”.

Ndërkohë me rritje është dhe numri i shtetasve shqiptarë që kanë dalë nga Shqipëria gjatë muajit të kaluar. Në janar 2023 janë larguar nga vendi 542.113 shqiptarë dhe krahasuar me janarin 2022 ky numër është rritur me 45.8%.

Viti 2022 rezulton një ndër më të mbarët për Shqipërinë pas pandemisë. Sipas të dhënave të INSTAT-it, numri i shtetasve të huaj të hyrë në Shqipëri gjatë vitit 2022 është 7.5 milionë duke u rritur me 32.6%, në krahasim me vitin 2021. (Fatosi)