Diplomacia e lartë Kineze në Evropë dhe piketat e saj për sigurinë botërore
2023-02-21 18:29:35

Pas një karriere të ngjeshur dhe të suksesshme prej 10 vitesh si Ministër i Jashtëm i Kinës, Wang Yi, në fund të vitit 2022 u zgjodh Drejtor i Zyrës së Komisionit Qendror të Punëve të Jashtme dhe anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PKK-së. Kjo zyrë ushtron mbikëqyrje të përgjithshme për çështjet që kanë të bëjnë me punët e jashtme në nivel vendimmarrje dhe koordinon politikat në nivel mbi-ministror, dhe kjo e bën z. Wang diplomatin më të lartë të Kinës. Në këto kompetenca, Wang Yi, nisi një turne në Evropë (specifikisht në Francë, Itali, Hungari) dhe morri pjesë në Konferencën e Sigurisë së Mynihut (MSC), një platformë ndërkombëtare për diskutime mbi çështjet e sigurisë globale. E quajtur ndryshe “Davos-i i Sigurisë”, konferenca tre-ditore mbledh krerët e shteteve, oficerë, ushtarakë, shefat e shërbimeve të inteligjencës dhe diplomatët më të lartë nga e gjithë bota.

Wang Yi u takua me Kancelarin gjerman Olaf Scholz,

Wang Yi morri pjesë në Konferencën e Sigurisë së Mynihut

Këtë vit, paksa ndryshe nga vitet më parë, në Mynih ishin ftuar një numër rekord përfaqësuesish nga vendet e Azisë, Amerikës Latine dhe Afrikës. Ndërsa vendet e zhvilluara patën në sfond, në mënyrë të paevitueshme Ukrainën, e cila dominoi diskutimet e tyre, shumë tema të ndryshme u sollën në diskutime nga vende të tjera. Për shembull, vëmendje shtesë iu kushtua edhe problemeve që ato vende kanë dhe pakënaqësisë së tyre, dhe vazhduan duke bërë thirrje për një rend botëror më të ekuilibruar. Mbledhjen e sigurisë e rrethuan edhe pyetje në lidhje me rendin aktual botëror, ku edhe vetë presidenti francez Emmanuel Macron pranoi se rendi aktual është i çekuilibruar dhe vendet perëndimore po humbasin me shpejtësi besimin e Jugut Global, ose ndryshe vendeve në zhvillim.

Wang Yi u takua me Ministrin e Jashtëm të Ukrainës

Qendrimi i Kinës në Mynih për një botë më të sigurt

Shefi i Punëve të Jashtme të PKK-së, në mesazhin e tij për liderët globalë në Konferencën e Sigurisë në Mynih u shpreh se vetë përvoja e Kinës tregon se rruga e zhvillimit paqësor jo vetëm që ka funksionuar, por ka funksionuar shumë  mirë. Ai ripohoi angazhimin e qëndrueshëm të vendit të tij për ta bërë botën një vend më të sigurt. Në Mynih Wang u takua me Kancelarin gjerman Olaf Scholz, me Sekretarin e Shtetit të SHBA-ve Antony Blinken, me Kryeministrin belg, me  Ministrin e Jashtëm të Ukrainës, Ministrin e Jashtëm austriak, me Ministrin e Jashtëm japonez, me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë Josep Borrell, e shumë të tjerë. Më herët në Francë, u takua me Presidentin Emmanuel Macron, në Itali u takua me presidentin Sergio Mattarella, dhe pas Mynihut në Hungari u takua me Kryeministrin Viktor Orban.

VIZIONI I KINËS PËR SIGURINË: Kina, ndjek një vizion të ri të sigurisë së përbashkët gjithëpërfshirëse dhe bashkëpunimit të qëndrueshëm, siç është paraqitur nga Presidenti Xi Jinping, u shpreh Wang në Mynih. Vihet në pah qëndrimi i përgjegjshëm ndaj mosmarrëveshjeve ndërkombëtare dhe roli konstruktiv i Kinës për çdo çështje, përfshi këtu edhe Ukrainën. Si në ditët e para të konfliktit por edhe një vit më pas, pozicioni i Kinës mbetet në mbështetjen e bisedimeve për paqe dhe dialog mes palëve. Në këtë kuadër, vendoset theksi në parimet se sovraniteti dhe integriteti territorial i të gjitha vendeve duhet të respektohet. Në lidhje me krizën në Ukrainë, Wang tha se Kina “as nuk ka qëndruar duarkryq, as nuk i ka hedhur benzinë zjarrit” dhe do të vazhdojë të bëjë thirrje për paqe. Ai sugjeroi që Perëndimi, veçanërisht miqtë evropianë, të mendojnë me qetësi se çfarë lloj përpjekjesh mund të bëjmë për të ndaluar këtë luftë.


Wang Yi u takua me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë Josep Borrell

PLANI I KINËS PËR TË ARDHMEN E AFËRT: Themelet e vendimmarrjes politike në Kinë janë institucionale dhe kolektive. Nuk ndodh që nga Kina të dalin deklarata të pastudiuara ose të paanalizuara, në momentin që janë peshuar mirë të gjithë aktorët, faktorët dhe situata, atëherë dilet me një dokument zyrtar. Këtë paralajmëroi Wang në Mynih, ku deklaroi se Kina do të publikojë shpejt një “dokument qëndrimi” ose dokument pozicionimi, ku do të paraqiten idetë e politikës së Kinës mbi një zgjidhje të krizës në Ukrainë.

KRITIKAT E KINËS NË AKTUALITET: Për diplomatin e lartë kinez, dëmi më i madh për paqen janë politikat vetëm për pushtet dhe hegjemoni. Ai bëri thirrje për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në mënyrë paqësore përmes dialogut dhe konsultimit. Ndërsa kritikoi SHBA-në, për trajtimin e saj të anijes ajrore kineze pa pilot në hapësirën e tyre (balonin), tha se tensionet drastike midis dy ekonomive më të mëdha në botë nuk i shërbejnë askujt. Ne i bëjmë thirrje Shteteve të Bashkuara të mos bëjnë gjëra të tilla absurde thjesht për të larguar vëmendjen nga problemet e tyre të brendshme – tha Wang. Në lidhje me marrëdhëniet Kinë-SHBA, ai shprehu se ata kanë “perceptim të gabuar ndaj Kinës duke e trajtuar si një sfidë dhe kërcënim gjeopolitik”, ndërkohë që dhe i kërkoi SHBA-së të adoptojë një pikëpamje objektive dhe të paanshme ndaj zhvillimit të Kinës dhe  të ndjekë një politikë pozitive dhe pragmatike ndaj saj.

Wang Yi në Hungari u takua me Kryeministrin Viktor Orban

SI DO TË SHKOHET MË TEJ? Bota po qëndron në një pikë kritike dhe shoqëria njerëzore duhet të shmangë antagonizmin, ndarjen dhe konfrontimin. Wang tha se ndjekja e paqes është dëshira e fortë e njerëzimit dhe është drejtimi i duhur për përparimin e kohës sonë. Pra, për një botë më të sigurt, shtetet duhet të zgjidhin mosmarrëveshjet dhe të luajnë një rol kyç në zhvillimin social dhe ekonomik. Kina propozoi një zgjidhje politike të mosmarrëveshjeve përmes dialogut që një ditë pas shpërthimit të konfliktit në Ukrainë, dhe gjithmonë është shprehur se konfliktet dhe luftërat nuk prodhojnë fitues, se nuk ka zgjidhje të thjeshtë për një çështje komplekse dhe konfrontimi midis vendeve të mëdha duhet të  shmanget. Sa më e ndërlikuar të jetë situata, aq më urgjente është që të adoptohet një qëndrim i qetë dhe praktik.

MARRËDHËNIET KINË EVROPË NË SFONDIN E RI GJEOPOLITIK: Fjalët kyçe në këtë kontekst janë “komunikim i thelluar strategjik” midis Kinës dhe Evropës. Në fakt fjalët e Wang në Mynih na ofrojnë një ide të perspektivave evropiane dhe kineze për çështjet kryesore ndërkombëtare. Nga ana e Pekinit, prioritetet e deklaruara për një vizion të sigurisë “të përbashkët, gjithëpërfshirëse, bashkëpunuese dhe të qëndrueshme” kumbojnë përshtatshëm në Gjermani. Nga ana evropiane, është e dukshme se ka nevojë për një arkitekturë të qëndrueshme sigurie mes një morie sfidash. Vetëm duke e trajtuar diplomacinë si bazën e komunikimit të tyre strategjik, Pekini dhe partnerët e tij evropianë mund të punojnë drejt një qasjeje më bashkëpunuese të sigurisë që është në përputhje me pozicionet e tyre për çështjet kryesore ndërkombëtare.

Së fundmi, një angazhim i tillë i nivelit të lartë nga Kina shpreh në praktikë se si mund të përmirësohet në mënyrë efektive mjedisi i trazuar global. Asnjë pengesë nuk është e pamenaxhueshme nëse ka vullnet politik për të sheshuar dallimet nëpërmjet dialogut konstruktiv.

Dr. Marsela Musabelliu