Konflikti i armatosur midis Rusisë e Ukrainës hyn në vitin e dytë kur armëpushimi duket larg
2023-02-19 12:01:56

Më 24 shkurt mbushet një vit që nga fillimi i konfliktit të armatosur midis Rusisë dhe Ukrainës, dhe zhvillimet në terrenin e luftës si dhe qëndrimet e palëve në konflikt edhe në këtë përvjetor nuk japin shenja që të arrihet shpejt një marrëveshje, e cila do të sillte ndalimin e luftimeve. Edhe analistët më optimistë janë të përmbajtur në parashikimet për fundin e kësaj lufte, e para në këto përmasa në tokën e kontinentit europian që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore.  

nga VCG

nga VCG

Kur brenda pak ditësh fillon viti i dytë i konfliktit ka qenë e vështirë të bëhet një bilanc i saktë i humbjeve në njerëz të të dy palëve ndërluftuese sikurse edhe i dëmeve materiale por çka duket qartë është se koston më të madhe të kësaj lufte po e paguan populli ukrainas si në viktima ashtu edhe në aspektin psikologjik nga përjetimi tronditës i gjendjes së luftës në jetën e përditshme.    

Çfarë filloi si konflikt i armatosur midis Rusisë dhe Ukrainës mund të thuhet se shpejt ai u kthye nga një konflikt dypalësh në një përballje trepalëshe ku vendet perëndimore të inkuadruara në NATO të kryesuara nga SHBA po marrin pjesë në luftime me armatimet e tyre në duart e forcave ushtarake të Ukrainës. Lloje të armatimeve nga më të ndryshme kanë vërshuar në Ukrainë aq sa si politikanë amerikanë ashtu edhe të aleancës së Atlantikut Verior kanë pranuar sipas shtypit botëror se ‘depot e armëve po boshatisen’! Kjo armatosje e ethshme e Ukrainës është përballuar me përforcimin e arsenalit ushtarak nga ana e Rusisë në fushën e betejës duke mbajtur të ndezur konfliktin në shkallë të gjerë.  

Mund të thuhet se për perëndimin, por veçanërisht për SHBA, ajo fushë beteje po shikohet si një teatër ku provohen armatimet e tyre përkundrejt arsenalit të rivalit të tyre kryesor Rusisë. Ish-superfuqitë SHBA e ish- Bashkimi Sovjetik kanë qenë të përfshira në mënyrë të ethshme në garën e armatimeve, veçanërisht në fushën e armatimeve bërthamore, dhe aktualisht si SHBA si Rusia kanë arsenalin bërthamor më të madh në botë. E kjo garë ka vazhduar në mënyra të ndryshme pavarësisht shumë traktateve e marrëveshjeve, të cilat në fakt kanë mbetur të arkivuara pa efekt. 

nga VCG

nga VCG

Sikurse ka qenë rrezik për njerëzimin përdorimi i armëve bërthamore në situata krize potenciale në kohën e Luftës së Ftohtë ashtu edhe tani ky arsenal përbën të njëjtin rrezik. Angazhimit total në armatosjen e Ukrainës, qëndrimet armiqësore të shprehura në sanksione të njëpasnjëshme të vendeve anëtare të BE-së si dhe të disa aleatëve të tjerë perëndimorë, si dhe retorika kërcënuese ndaj Rusisë janë shkak për t’iu trembur çdo skenari në aspektin ushtarak e shprehur kjo edhe në kërcënimet e Moskës për përdorimin e armëve bërthamore, dhe pasojat për njerëzimin përmblidhen në alarmin e dhënë: shkatërrim i botës!  

Kërcënimi bërthamor nuk ka kaluar pa shqetësime në mbarë botën por veçanërisht në kontinentin europian ku fatkeqësisht historia na dëshmon se ai është bërë arenë luftërash të përgjakshme shumë herë më e fundit Lufta e Dytë Botërore që mbaroi me dorëzimin e nazi-fashistëve më 1945. Në këtë kuadër janë dëgjuar deklarata të disa liderëve të vendeve kryesore të BE-së se ata nuk janë në luftë më Rusinë. E për më tepër disa syresh sipas njoftimeve të shtypit i mbajnë të hapura kanalet e komunikimit me Moskën, e pa dyshim diplomacia e mbiquajtur ‘arti i të pamundurës’ vazhdon veprimtarinë e saj.

nga VCG

nga VCG

Por nëse kërcënimi bërthamor mbetet hipotetik vazhdimi i luftës edhe në formën e një konflikti të izoluar midis Rusisë dhe Ukrainës do të rris më tej vështirësitë në aspektin e energjisë dhe sigurisë ushqimore në shkallë botërore, veçanërisht për vendet europiane, të cilat në përmasa të ndryshme përjetuan vështirësi të mëdha gjatë vitit të kaluar.  

Kur ky konflikt i përgjakshëm e shkatërrimtar për palët në konflikt si dhe rreziqet e kërcënimet që paraqet ai për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në botë përpjekjet nuk kanë reshtur nga fuqi të mëdha me influencë tek të dy palët për të ndërmjetësuar në gjetjen e një zgjidhje për ti dhënë fund luftës. Deri tani nuk raportohet që ata të kenë dhënë ndonjë rezultat sinjifikativ. Megjithatë të dy palët në konflikt kanë paraqitur kushtet e tyre për përfundimin e luftës, por pothuajse të gjithë analistët bien dakord për divergjencën e thellë në vizionin e tyre e prandaj janë quajtur ‘kushte maksimaliste’.

Një ide të qartë lidhur me këtë janë kushtet ruse dhe ukrainase sikurse janë botuar në shtypin botëror respektivisht si më poshtë:

Kushtet ruse

Amendimi i kushtetutës së Ukrainës, i cili do të përmbante një dispozitë për heqjen dorë nga anëtarësimi në çdo aleancë ushtarake.

Njohja e sovranitetit dhe pavarësisë së pesë rajoneve të Krimesë, Donetsk, Luhansk, Kherson dhe Zaporozhye, të cilat iu bashkuan Rusisë në 2014 dhe 2022 si pjesë përbërëse të Federatës Ruse, dhe në këtë mënyrë njohja nga Kievi zyrtar i kufijve të rinj që po shfaqen midis Rusisë dhe Ukrainës.

Çarmatimi i Ukrainës nga armët e rënda dhe eliminimi i tendencave të "nazizmit, nacionalizmit dhe shovinizmit" atje.

nga VCG

nga VCG

Heqja dorë kushtetuese nga posedimi dhe vendosja e armëve bërthamore dhe ndalimi i pranisë së bazave të huaja ushtarake në territorin e saj.

Siguri që pala ukrainase të paguajë kompensim për të gjithë qytetarët e Federatës Ruse, duke përfshirë pesë rajonet e reja, për humbje jete, lëndime, shkatërrim të pjesshëm ose të plotë të shtëpive të tyre, si dhe për infrastrukturën kritike, duke filluar nga fundi i shkurtit 2014.

Kievi do të paguajë të gjitha borxhet dhe kreditë financiare, tregtare dhe ekonomike të marra hua nga Rusia që nga viti 1991 pas rënies së Bashkimit Sovjetik.

Kushtet ukrainase

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky prezantoi Planin e Paqes me Dhjetë Pika, të cilin ai e diskutoi me Presidentin e SHBA-së Biden, ndër të tjerë, dhe u bën thirrje liderëve botërorë të mbajnë një samit global të paqes bazuar në atë plan. Zelensky së pari njoftoi formulën e tij për paqen në samitin e G-20 në nëntor 2022, dhe plani përbëhet nga dhjetë kushtet e mëposhtme:

Siguria radiologjike dhe bërthamore me fokus rivendosjen e sigurisë rreth termocentralit më të madh bërthamor në Evropë, termocentralit bërthamor Zaporozhye në Ukrainë, i cili aktualisht është nën kontrollin rus.

Siguria ushqimore, duke përfshirë mbrojtjen dhe garantimin e eksporteve të grurit të Ukrainës në vendet më të varfra të botës.

Siguria energjetike, duke u fokusuar në kufizimin e çmimit të energjisë të burimeve ruse dhe duke ndihmuar Ukrainën për riparimin dhe ringritjen e infrastrukturën së saj të energjisë elektrike, rreth gjysma e së cilës është dëmtuar nga sulmet ruse.

Lirimi i të gjithë të burgosurve dhe të dëbuarve, përfshirë të burgosurit e luftës dhe fëmijët e deportuar në Rusi.

Rivendosja e integritetit territorial të Ukrainës dhe afirmimi i saj nga Rusia sipas kartës së OKB-së në një klauzolë që Zelensky tha se ishte "e panegociueshme".

Tërheqja e forcave ruse, ndërprerja e armiqësive dhe rivendosja e kufijve midis Ukrainës dhe Rusisë.

Drejtësia, duke përfshirë krijimin e një gjykate speciale, e cila do të gjykojë kriminelët e luftës nga Rusia.

nga VCG

nga VCG

Parandalimi i shkatërrimit të mjedisit natyror dhe nevojës për mbrojtjen e mjedisit, duke u fokusuar në çminimin dhe riparimin e objekteve të trajtimit të ujit. 

Parandalimi i përshkallëzimit të konflikteve dhe ndërtimi i një strukture sigurie në nivel euroatlantik, duke përfshirë garancitë për Ukrainën.

Konfirmimi i përfundimit të luftës me nënshkrimin e dokumentit nga të gjithë palët e interesuara.

Pavarësisht pozicioneve të deklaruara maksimaliste të dy palët në konflikt ka pak gjasa të donin një ‘luftë pa fund’. Por ‘lufta pa fund’ duket se nuk u shkon për shtat as atyre fuqive perëndimore me në krye SHBA që janë mbështetësit dhe furnizuesit kryesorë të Ukrainës politikisht, ushtarakisht dhe ekonomikisht. ‘Lufta pa fund’ do ta kthente Ukrainën në tokë të djegur dhe shtimi i barrës së nevojave të saj më të mëdha për armatime ka dhënë shenja se është kosto që bëhet më e papërballueshme për fuqitë perëndimore. 

Në maj të vitit 2022, diplomati veteran amerikan Henri Kizinger tha se të dy palët duhet të bien dakord për një "vijë demarkacioni" dhe një kthim në "status quo-në e mëparshme", duke i kërkuar në thelb Ukrainës që të lëshojë territore duke përfshirë Gadishullin e Krimesë dhe pjesë të rajonit të Donetskut në këmbim të paqes. duke shtuar se kontrolli i këtyre territoreve do të vendoset pas marrëveshjes së armëpushimit. (IFIMES, 15 shkurt, 2023)

nga VCG

nga VCG

Por sikurse edhe në situata të tjera të tilla ndërkombëtare është konsideruar tejet i rëndësishëm qëndrimi dhe roli i Kinës si një fuqi e madhe, e cila jo vetëm vlerësohet nga palët në konflikt por edhe nga komuniteti ndërkombëtar për kontributin e saj të spikatur në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në botë. 

Kina i përmbahet qëndrimit se sovraniteti dhe integriteti territorial i të gjitha vendeve duhet të respektohen, qëllimet dhe parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara duhet të respektohen plotësisht dhe shqetësimet legjitime të sigurisë të të gjitha vendeve duhet të merren seriozisht.

Që në ditët e para të krizës, Kina është zotuar të promovojë bisedimet e paqes dhe të bëjë përpjekje të mëdha për frenimin e shkallëzimit të konfliktit, duke përfshirë propozimin për të mbajtur bisedime paqeje.

E konkretisht si zhvillim i fundit është se një ndër temat e bisedimeve të diplomatit të lartë kinez Wang Yi, anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës (PKK) dhe drejtor i Zyrës së Komisionit të Punëve të Jashtme të Komitetit Qendror të PKK-së në turneun e tij në vazhdim në Europë, që përfshin vizita në Francë, Itali, Hungari e Rusi, si edhe pjesëmarrje në Konferencën e 59-të të Sigurisë të Munihut, është kriza e Ukrainës.

Kështu në takimin me presidentin francez Emmanuel Macron më 15 shkurt Wang Yi u shpreh që Kina ka adoptuar një qëndrim objektiv dhe të paanshëm dhe ka qenë gjithmonë e përkushtuar ndaj promovimit të bisedimeve paqësore.

Ai theksoi se Kina e vlerëson rolin e Francës si një fuqi e pavarur kryesore dhe është e gatshme që, me bashkësinë ndërkombëtare, duke përfshirë edhe Francën, të kërkojë një zgjidhje politike mbi krizën e Ukrainës, për të  arritur sa më parë një armëpushim.

Në deklaratën e publikuar nga MPJ-ja kineze thuhet që Kina e konsideron gjithmonë Francën si partnere bashkëpunimi dhe është e gatshme të thellojë komunikimin e nivelit të lartë me të, duke u dhënë impulse të reja marrëdhënieve kino-evropiane.

Presidenti Macron, nga ana e tij, shprehu urime për zhvillimin e suksesshëm të Kongresit të 20-të Kombëtar të PKK-së dhe theksoi që po pret të bisedojë me presidentin Xi Jinping për miqësinë dhe bashkëpunimin e ardhshëm.

nga VCG

nga VCG

Sipas kreut të shtetit francez, shtimi i dialogut strategjik ndërmjet Kinës e Francës ka rëndësi të madhe dhe të dy vendet duhet të ngulin këmbë në multilaterizëm, duke kundërshtuar kundërvënien në grup.

E sot kur konflikti i armatosur midis Rusisë dhe Ukrainës vazhdon duke hyrë në vitin e dytë të tij është imperativ një angazhim i sinqertë, konstruktiv dhe i paanshëm i fuqive të mëdha në dhënien e kontributit të tyre për të bërë të mundur që palët në konflikt të ulen në tryezën e bisedimeve për të shkuar drejt shuarjes së zjarrit të luftës në të mirë të dy popujve rus dhe ukrainas por edhe të gjithë botës.