Ekipet kineze të shpëtimit luftojnë kundër gjasave në epiqendrën e Turqisë së goditur nga tërmeti
2023-02-17 10:37:45

Foto nga VCG

Misionet ndërkombëtare të shpëtimit nxituan në Turqi dhe Siri pas tërmeteve masive që goditën rajonin javën e kaluar, që u morën jetën mbi 41.000 personave, lanë dhjetëra mijëra të plagosur dhe ka një numër të panjohur të bllokuar në rrënoja.

Aktualisht ka mbi 9000 shtetas të huaj nga mbi 80 vende që kryejnë operacione kërkim-shpëtimi dhe ofrojnë ndihmë humanitare në zonën e goditur nga tërmeti, sipas ministrisë së Jashtme turke, cituar nga “Xinhua”.

Ndër ata që bënë përpjekje të jashtëzakonshme rikuperimi është një ekip kinez i kërkim-shpëtimit prej 82 anëtarësh, i cili deri më tani ka nxjerrë gjashtë të mbijetuar nga rrënojat brenda një jave, duke sfiduar shanset.

“Ka disa dallime midis kërkimit dhe shpëtimit brenda dhe jashtë vendit”,- tha Zhao Yang, anëtar i ekipit që punon në distriktin Antakya të provincës jugore Hatay.

“Së pari, kemi nevojë për një pasqyrë gjithëpërfshirëse të situatës nga autoritetet lokale. Së dyti, duhet të punojmë me ekipet lokale të reagimit ndaj emergjencave dhe të kuptojmë se si të kapërcejmë pengesën gjuhësore. Së fundi, misionet e kërkim-shpëtimit nga tërmeti kërkojnë shumë burime, të cilat duhet të koordinohen me institucionet lokale”,- shtoi ai.

Duke fluturuar mbi 8000 km në një fluturim çarter të “Air China” për në Turqinë jugore, ekipi mbërriti të mërkurën në mëngjes së bashku me katër qen shpëtimi dhe mbi 20 tonë pajisje për qëllime shpëtimi, komunikimi dhe mjekësore, duke përfshirë detektorë të jetës që hetojnë rrënojat për shenja të të mbijetuarve.

“Kur ekipet e kërkim-shpëtimit janë në një mision në një vend të huaj, ata përballen me vështirësi duke përfshirë ambientimin me kushtet sfiduese lokale, komunikimin me personelin lokal që flet gjuhë të ndryshme dhe sigurimin e automjeteve dhe pajisjeve”,- tha Zhao, duke shtuar se vullnetarët vendas u kanë siguruar ndihmë të konsiderueshme.

Emir Kaan Karaman, një student vullnetar që jeton në Stamboll, u caktua nga agjencia e menaxhimit të fatkeqësive të vendit si përkthyes për ekipin kinez.

“Ata treguan të njëjtin përkushtim siç do të pritej nga një turk, ashtu si dikush që kërkon familjen e tij nën rrënoja. Ata po jepnin gjithçka, jo vetëm njohuritë e tyre teknike, por punonin me zemër”,- tha Karaman. (Irma)