Udhëheqja e PKK-së: Kina, fitore "madhore e vendimtare" në luftën kundër COVID-19
2023-02-17 11:21:22

Foto nga VCG

Gjatë tre vjetëve të fundit, Kina gjithmonë ka vënë në qendër jetën dhe shëndetin e njerëzve dhe ka përshtatur reagimin e saj ndaj COVID-19 mbi bazën e zhvillimit të gjendjes, duke fituar kohë të çmuar për një kalim sa më të lehtë të epidemisë.

Kina ka arritur një fitore madhore e vendimtare në parandalimin dhe kontrollin e COVID-19 që nga nëntori 2022, u theksua të enjten në një mbledhje të Komitetit të Përhershëm të Byrosë Politike të Partisë Komuniste të Kinës (PKK).

Është provuar se gjykimi, vendimmarrja politike dhe rregullimet kryesore lidhur me strategjinë mbi COVID-19 të PKK-së janë krejtësisht të sakta, vuri në dukje mbledhja e kryesuar nga sekretari i përgjithshëm i Komitetit Qendror të PKK-së Xi Jinping.

"Masat janë të efektshme. Populli i miraton ato dhe arritjet janë të mëdha," u tha në këtë mbledhje.

Kina ka vazhduar të optimizojë dhe të rregullojë masat e saj të parandalimit dhe kontrollit të COVID-19 që nga nëntori i vjetshëm, duke u përqendruar në mbrojtjen e shëndetit të njerëzve e parandalimin e rasteve të rënda.

Që nga 8 janari 2023, epidemia nisi të menaxhohet me masat për sëmundjet infektive të kategorisë B, në vend të kategorisë A.

Në mbledhjen e së enjtes u vu në dukje po ashtu se Kina ka realizuar një kalim të qëndrueshëm të fazave të parandalimit dhe kontrollit të epidemisë në një periudhë relativisht të shkurtër kohe.

Me më shumë se 200 milionë veta që kanë marrë trajtim mjekësor dhe pothuajse 800 000 të sëmurë rëndë të shëruar që nga nëntori, Kina ka mbajtur ndër përqindjet më të ulëta të vdekjeve nga COVID-19 në botë.

Ndërsa reagimi ndaj epidemisë ka hyrë në një fazë të re, Kina ka përshpejtuar përpjekjet për të konsoliduar atë që është arritur gjatë viteve të luftës kundër COVID-19.

Është e rëndësishme të forcohet kapaciteti i mbikëqyrjes së epidemisë dhe të përmirësohet sistemi i rregullt i paralajmërimit të hershëm, duke ngritur një mekanizëm të mirë mbikëqyrjeje dhe raportimi, u vërejt në  mbledhjen e udhëheqjes së PKK-së.

Aty u vu theksi gjithashtu në përpjekjet për të garantuar prodhimin dhe furnizimin e materialeve mjekësore dhe për të përmirësuar mekanizmin e shpërndarjes së tyre.

Mbledhja u mbyll me sugjerimin që të bëhen përpjekje për arritje shkencore e teknologjike në sektorin shëndetësor në një mënyrë të bashkërenduar dhe për të ngritur nivelin e shkencës e të teknologjisë të jetës dhe të shëndetit. (Artan)