Shefi i OKB-së bën thirrje për veprim për të trajtuar shkakun rrënjësor të rritjes së nivelit të deteve
2023-02-16 09:59:01

Foto:VCG

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, deklaroi se kriza klimaterike është shkaku kryesor i rritjes së nivelit të deteve dhe i kërkoi komunitetit ndërkombëtar të ndërmarrë veprime më të bashkërenduara për të reduktuar emetimet dhe për të garantuar drejtësinë klimaterike, njofton “Xinhua”.  

“Rritja e nivelit të detit nuk është vetëm një kërcënim në vetvete. Ai është një shumëfishues i kërcënimit”,- tha Guterres në diskutimin në Këshillin e Sigurimit, me temë: “Rritja e nivelit të detit: Implikime për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare”.  

Rritja e nivelit të deteve kërcënon jetët dhe rrezikon aksesin në ujë, ushqim dhe kujdes shëndetësor. Ndërhyrja e ujit të kripur mund të shkatërrojë vendet e punës dhe ekonomi të tëra në industritë kryesore si bujqësia, peshkimi dhe turizmi, tha ai, duke shtuar se kërcënon edhe ekzistencën e disa komuniteteve të ulëta dhe madje edhe vendeve.  

Duke cituar të dhënat e publikuara nga Organizata Botërore Meteorologjike, (WMO) Guterres tha se nivelet mesatare globale të detit janë rritur më shpejt që nga viti 1900 se në çdo shekull të mëparshëm në 3000 vitet e fundit.  

WMO-ja parashikoi se edhe nëse ngrohja globale kufizohet në 1.5 gradë Celsius, do të ketë ende një rritje të konsiderueshme të nivelit të detit, dhe nëse temperaturat rriten me 2 gradë Celsius, kjo rritje e nivelit mund të dyfishohet, me rritje të mëtejshme të temperaturës që sjellin rritje eksponenciale të nivelit të detit.  

Pasojat e skenarëve janë të paimagjinueshme, tha Guterres, duke paralajmëruar se bota do të dëshmonte një eksod masiv të popullsive të tëra në një shkallë biblike dhe konkurrencë gjithnjë e më të ashpër për ujë të freskët, tokë dhe burime të tjera.  Komuniteti ndërkombëtar duhet ta përballojë këtë valë në rritje të pasigurisë me veprime për të trajtuar krizën klimaterike, shkakun kryesor të rritjes së deteve, me veprime më të bashkërenduara për të reduktuar emetimet dhe për të garantuar drejtësinë klimatike, tha ai.  

Vendet në zhvillim duhet të kenë burimet për t'u përshtatur dhe për të ndërtuar elasticitet ndaj katastrofës klimatike, tha shefi i OKB-së, që do të thotë të sigurojnë fondin e humbjeve dhe dëmeve.  

Ai theksoi gjithashtu nevojën për të zgjeruar kuptimin e shkaqeve rrënjësore të pasigurisë duke identifikuar dhe trajtuar një gamë shumë më të gjerë faktorësh që minojnë sigurinë, nga varfëria, diskriminimi dhe pabarazia, shkeljet e të drejtave të njeriut, deri te fatkeqësitë mjedisore si rritja e nivelit të detit. (Elona)