Klubi i Vullnetarizmit në FHGJ mbledh ndihma për Turqinë dhe Sirinë
2023-02-14 14:38:35

Tërmeti i fuqishëm me magnitudë 7.8 ballësh të Rihterit, i cili i goditi Turqinë dhe Sirinë një javë më parë ka shkaktuar mbi 33 mijë viktima, dhjetëra mijëra të plagosur dhe dëme katastrofike. Pamjet nga zonat e prekura nga tërmeti janë në fokus të vëmendjes së mediave ndërkombëtare, por ato nuk kanë  prekur qytetarë nga e gjithë bota. Edhe në Shqipëri tërmeti dhe pasojat e rënda të tij kanë nxitur qytetarë të ndryshëm të ofrojnë ndihma monetare apo materiale për të prekurit. Një shembull solidariteti këto ditë u bënë dhe studentë e pedagogë të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja pranë Universitetit të Tiranës.

Klubi i studentëve në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja ka nisur mbledhjen e ndihmave për të prekurit nga tërmeti në Turqi dhe Siri prej disa ditësh, për t’i dërguar ato më pas në Ambasadën e Turqisë në Tiranë. Pedagogia Flavia Kaba na flet për nismën e ndërmarrë nga ky klub për mbledhjen e ndihmave për të prekurit nga tërmeti.

“Klubi i vullnetarizmit prej dy vjetësh merret me aktivitete të këtij lloji, nga vetë emri vullnetarë pasi të gjithë studentët janë për të ndihmuar në mënyrë vullnetare në të gjithë aktivitetet që ndërmerr fakulteti apo klubi. Është një nga klubet e shumta që është krijuar dy vjet më parë në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, ndër të cilët Klubi i Teatrit, Artit, Sportit, Klubi i Ambjentalistëve dhe Debatit, ku unë jamë pjesë me disa pedagogë nga klubi i frengjishtes dhe turqishtes. Aktivetin e parë e kemi bërë para dy vjetësh në një shkollë në Paskuqan, njoftimet i publikojmë në faqet tona të rrjeteve sociale për të gjithë ata që kanë nevojë dhe ata që duan të ndihmojnë me diçka. Klubi i vullnetarizmit vjen tashmë me një tjetër nismë për të prekurit nga tërmeti në Turqi dhe Siri. Për shkak të një tragjedie të tillë ku janë rrafshuar dhjetra qytete, të gjithë studentëve ju bëhet njoftimi dhe sipas interesave ata janë bërë pjesë e klubeve për të ndihmuar të gjjthë dhe numri i tyre është rritur, duke qenë një interes shumë i lartë mga ana e studentëve”, u shpreh pedagogia Flavia  Kaba.

CMG: Si ka vijuar organizimi juaj për rastin e tërmetit në Turqi?

Flavia Kaba: Ditën e hënë kur ndodhi tërmeti ishim të gjjthë të shokuar dhe nuk po reagonim deri në momentin kur njëra prej studentëve vendosi të shkruajë duke thënë se tani është rradha jonë për të bërë diçka. Reagimi ishte i menjëhershëm nga të gjithë antëtarët dhe krijuam posterin të cilin e afishuam kudo për t’u bërë bashkë në këtë kauzë”

CMG: Sa ndihma janë mbledhur deri tani dhe si do të operoni për t’i dërguar drejt Turqisë dhe Sirisë?

Flavia Kaba: Ndihma janë mbledhur shumë sepse kanë ardhur shumë studentë. Tashmë jemi duke ndarë ndihmat dhe akoma nuk i kemi përfunduar të gjjtha. Kemi dërguar një email në Ambasadën e Turqisë dhe jemi në pritje për të marrë dhe një përgjigje zyrtare prej tyre”

Ndërsa Stelina Ndreu, kryetare e Këshillit studentor dhe anëtare e Klubit të Vullnetarizmit në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja tregon për eksperiencën e saj si anëtare e këtij klubi, po edhe për nismën e ndërmarrë prej tyre.            

“Unë jam pjesë e Këshillit studentor dhe klubeve studentore në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja. Prej dy vitesh ka pasur një interes të madh nga studentët dhe mund të them se Klubi i vullnetarizmit ka pasur një sukses të madh deri tani, pasi të gjithë studentët janë të interesuar për të bërë mirë. Në Klubin e vullnetarizmit tashmë jemi bërë bashkë dhe kemi marrë kohë edhe pse jemi në sezon provimesh për të mbledhur ndihmat, jo vetëm nga studentët tanë, por edhe nga rrethet. Jemi fokusuar tek ndihmat si veshje, batanije dhe pajisjet higjenike. Në vazhdim duam të mbledhim edhe materiale të tjera që t’i kemi të gjitha materialet bazë dhe jetike për ta” tha studentja Stelina Ndreu.

Këto ditë edhe Bashkia e Tiranës ka ndërmarrë një fushatë solidariteti me të prekurit nga tërmeti në Turqi dhe Siri. Në sheshin Skënderbej në kryeqytet po mblidhen ndihma  në veshje, batanije apo materiale higjenike nga qytetarë të Tiranës, të cilët me mundësitë që kanë po përpiqen t’u qëndrojnë pranë të prekurve nga tërmeti kartastrofik që goditi para një jave Turqinë dhe Sirinë.