ShBA: Gjykata e Apelit heq ndalimin e zotërimit të armëve prej abuzuesve në familje, duke shkaktuar pakënaqësi e shqetësime
2023-02-14 13:20:42

Foto:VCG

Rrjeti televiziv amerikan CNN njoftoi të dielën se, në fillim të këtij muaji, Gjykata e Apelit e Qarkut të Pestë në ShBA përmbysi një ligj federal që ndalonte autorët e dhunës në familje të zotëronin armë zjarri, një vendim ky shumë i diskutueshëm që ka shkaktuar pakënaqësi dhe shqetësime.

Hulumtimi i cituar nga Koalicioni Kombëtar kundër Dhunës në Familje i ShBA-së tregon se rreziku i vrasjes rritet deri në 500 për qind nëse një armë është e pranishme në rastet e dhunës në familje. Sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, afro dy të tretat e vrasjeve të partnerëve të afërt në ShBA shkaktohen nga armët.

Sipas CNN-it, vendimi i Gjykatës së Apelit të Qarkut të Pestë shkatërron një mjet të rëndësishëm që të mbijetuarit e dhunës në familje kishin për t'u mbrojtur nga autorët e kësaj dhune. Nëse ky vendim i gjykatës do të zbatohej në të gjithë ShBA-në, pasojat do të ishin shkatërrimtare, thonë veprimtarët kundër dhunës në familje. (Çang Çuo)