Cikloni “Gabrielle” - Zelanda e Re shpall gjendjen e jashtëzakonshme
2023-02-14 13:15:49

Foto: VCG

Zelanda e Re shpalli gjendjen e jashtëzakonshme të hënën pasi cikloni “Gabrielle” goditi vendin, njofton “Xinhua”.

Njerëzit në disa rajone si Northland dhe Auckland, qyteti më i madh i vendit, janë paralajmëruar nga Mbrojtja Civile për rrezik të lartë të përmbytjeve. Për mijëra njerëz është ndërprerë energjia elektrike.

Sipas parashikimeve, në 20 orët e ardhshme priten 400 milimetra shi dhe erëra me shpejtësi 130 km/orë.

Kompania kombëtare ajrore “Air NZ” anuloi të gjitha fluturimet brenda dhe jashtë Auckland të dielën. Po ashtu janë anuluar shumë fluturime ndërkombëtare.

Shumica e shkollave dhe qendrave të kujdesit për fëmijët në rajon janë mbyllur dhe 26 strehimore emergjente dhe qendra të mbrojtjes civile janë ngritur në të gjithë Auckland, sipas departamentit të mbrojtjes civile.

Për Auckland dhe shumë vende të tjera në rajon u ngrit alarmi i kuq të dielën, pasi shërbimi kombëtar meteorologjik i vendit “MetService” paralajmëroi se moti më i keq nuk ka ardhur ende.

Qeveria u kërkoi banorëve të përgatisin thasë me rërë për të mbrojtur shtëpitë e tyre, të ruajnë ushqimin dhe ujin dhe të jenë gati për evakuimet e nevojshme në ditët në vijim.

Kryeministri i Zelandës së Re, Chris Hipkins, u bëri thirrje njerëzve që ta marrin seriozisht paralajmërimin e motit të keq, të qëndrojnë në shtëpi e të anulojnë të gjitha udhëtimet e panevojshme. (Fatosi)