Xi Jinping-u zhvillon bisedime me presidentin e Iranit Seyed Ebrahim Raisi
2023-02-14 20:52:06

foto nga CMG

foto nga CMG

Presidenti kinez Xi Jinping zhvilloi të martën pasdite në Pallatin e Madh të Popullit në Pekin bisedime me homologun e tij iranian Seyed Ebrahim Raisi, që po bën një vizitë shtetërore në Kinë.

Ndër të tjera, Xi vuri në dukje se Kina dhe Irani, dy vende me miqësi tradicionale, kanë përballuar sprovat e ndryshimeve të situatës ndërkombëtare. Pala kineze i ka konsideruar gjithmonë marrëdhëniet me palën iraniane nga lartësia strategjike dhe pavarësisht nga ndryshimet e situatës ndërkombëtare e rajonale, pala kineze do të zhvillojë bashkëpunimin miqësor të palëkundur me Iranin dhe ta nxitë partneritetin e gjithanshëm strategjik kino-iranian, që të luajë rol pozitiv për paqen botërore dhe përparimin e njerëzimit.

Xi theksoi se pala kineze e përkrah palën iraniane në mbrojtjen e pavarësisë, sovranitetit, tërësisë territoriale e dinjitetit kombëtar dhe në kundërshtimin e unilateralizmit e të ngacmimit. Kina kundërshton ndërhyrjen në punët e brendshme të Iranit dhe dëmtimin e sigurisë e të stabilitetit të Iranit nga forcat e huaja. Pala kineze po ashtu është e gatshme për përkrahje të ndërsjellë me palën iraniane në çështjet që kanë të bëjnë me interesat thelbësore të njëri-tjetrit. Kina është e gatshme të konkretizojë planin e bashkëpunimit të gjithanshëm me Iranin, duke thelluar bashkëpunimin pragmatik në tregti, bujqësi, industri, infrastrukturë etj., dhe duke importuar më shumë produkte bujqësore cilësore nga Irani. Pala kineze do të vazhdojë bashkërisht me palën iraniane edhe bashkëpunimin në ndërtimin e “Një brez, një rrugë”, nxitjen e ndërlidhshmërisë dhe zgjerimin e shkëmbimeve njerëzore.

foto nga CMG

foto nga CMG

Xi vuri në dukje se mbrojtja e stabilitetit në Lindjen e Mesme ka të bëjë me të mirën e vendeve e të popujve në këtë rajon dhe ka rëndësi të madhe edhe për mbrojtjen e paqes botërore, nxitjen e zhvillimit ekonomik global dhe sigurimin e furnizimit me energji. Pala kineze vlerëson përpjekjet e palës iraniane për përmirësimin e marrëdhënieve me vendet fqinje. Pekini do të vazhdojë të marrë pjesë në mënyrë konstruktive në bisedimet për rifillimin e zbatimit të marrëveshjes mbi problemin bërthamor të Iranit, do të përkrahë palën iraniane të mbrojë të drejtat e interesat e ligjshme dhe do të nxitë zgjidhjen sa më parë të problemit bërthamor të Iranit.

Nga ana e tij, presidenti Raisi tha se Irani dhe Kina janë partnerë të sinqertë strategjikë me besimin e ndërsjellë. Pala iraniane është e vendosur në thellimin dhe ngritjen e nivelit të partneritetit të gjithanshëm strategjik me palën kineze dhe nuk do të ndikohet nga ndryshimet e situatës ndërkombëtare e rajonale. Teherani shpreson të forcojë shkëmbimet me Pekinin në nivele të ndryshme e të thellojë bashkëpunimin pragmatik në tregti e në infrastrukturë, si edhe mirëpret ndërmarrjet kineze të investojnë në Iran dhe turistët kinezë të vizitojnë Iranin.

Presidenti iranian shprehu përkrahjen e vendosur për nismën “Një brez, një rrugë”, Nismën e Zhvillimit global dhe Nismën e Sigurisë Globale, të paraqitura nga Kina, dhe tha se Irani do të marrë pjesë aktivisht në to. Pala iraniane dëshiron të forcojë shkëmbimet me palën kineze mbi çështjet ndërkombëtare e rajonale, që të mbrojë bashkërisht barazinë e drejtësinë ndërkombëtare, si dhe paqen e sigurinë e rajonit dhe botës.

foto nga CMG

foto nga CMG

Para bisedimeve, Xi Jinping-u zhvilloi një ceremoni mirëseardhjeje për nder të presidentit Raisi në Sallën Veriore të Pallatit të Madh të Popullit.

Pas bisedimeve, krerët e të dy vendeve ishin të pranishëm në nënshkrimin e një sërë dokumentesh mbi bashkëpunimin dypalësh në fushat bujqësore, tregtare, turistike, të mbrojtjes së mjedisit, të shëndetësisë, të shpëtimit pas fatkeqësive, kulturore, sportive etj.

Gjatë vizitës së Raisit në Kinë, të dyja vendet do të publikojnë deklaratën e përbashkët. (Wang Lei/ Artan)